Reshjet intensive të shiut që ranë gjatë natës kanë shkaktuar disa problematika në qytetin e Lezhës.
Sasia e lartë e ujit ka tejkaluar kapacitetet e sistemit të kanalizimeve nëntokësore, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të përmbytë disa zona të qytetit.
Më të prekura rezultojnë blloqet e banimit “11 Janari” dhe zona e njohur si “11.2 hektarë” në lagjen ‘Besëlidhja’, ku prania e ujit në rrugë ka vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Në disa akse, lëvizja është ndërprerë përkohësisht.
Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Policia Bashkiake ka ndërhyrë duke bllokuar disa segmente rrugore dhe duke orientuar drejtuesit e mjeteve në rrugë alternative, me synim shmangien e rrezikut dhe garantimin e sigurisë.
Ndikim në përkeqësimin e situatës kanë pasur edhe punimet që po kryhen prej muajsh në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, një projekt që synon zgjidhjen përfundimtare të përmbytjeve në qytet.
Ndërkohë, moti i keq ka sjellë edhe probleme me furnizimin me energji elektrike, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale të Lezhës./Kb
