Last Updated on 30/10/2026 by EL
Ndërtimi i qendrave të mëdha të të dhënave në Shtetet e Bashkuara po shkakton gjithnjë e më shumë pakënaqësi mes banorëve. Në Teksas, ku po zhvillohen dhjetëra projekte të reja, qytetarë me bindje të ndryshme politike janë bashkuar për të kundërshtuar ndërtimet, të cilat sipas tyre rrezikojnë mjedisin, burimet ujore, shëndetin dhe cilësinë e jetës.
Një prej tyre është Abigail Lindsey, 48 vjeçe, e cila jeton në një zonë rurale në jug të kontesë Hays, pranë qytetit San Marcos. Ajo është kthyer në vendlindje pesë vjet më parë, pas shumë udhëtimesh nëpër botë, për të rritur djalin e saj pranë natyrës dhe familjes.
Por qetësia e zonës është prishur nga një projekt për ndërtimin e një qendre të madhe të të dhënave në tokën përballë fermës së saj. Projekti është marrë përsipër nga kompania CloudBurst, e cila fillimisht kishte premtuar përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërtimin e një infrastrukture miqësore me mjedisin.
Megjithatë, kompania ka nënshkruar më pas një kontratë për furnizimin e qendrës me gaz metan, ndërsa banorët kanë ngritur shqetësime për konsumin e madh të ujit dhe ndotjen.
Sipas Abigailit, sistemet e ftohjes që nevojiten për të mbajtur serverët në temperaturën e duhur mund të shterojnë burimet ujore të zonës. Ajo shqetësohet gjithashtu për zhurmën, ndriçimin e vazhdueshëm dhe ndikimin që këto ndryshime mund të kenë te kafshët dhe bletët që ajo rrit.
Një tjetër problem është edhe rënia e vlerës së pronave. Banorët thonë se tashmë është shumë më e vështirë të shesësh një shtëpi apo tokë pranë një qendre të tillë, pasi blerësit nuk dëshirojnë të jetojnë në afërsi të këtyre ndërtesave gjigante.
Përballë kësaj situate, Abigaili nisi të kontaktojë banorët, drejtuesit vendorë dhe autoritetet. Përpjekjet e saj çuan në krijimin e një lëvizjeje qytetare të quajtur Data Center Action Coalition, e cila arriti të ndalojë përkohësisht projektin dhe të sigurojë një moratorium njëvjeçar.
Kjo lëvizje është pjesë e një reagimi shumë më të gjerë në të gjithë SHBA-në. Mbi një mijë organizata qytetare janë krijuar për të kundërshtuar ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave.
Sipas raportit AI Index të Universitetit Stanford, në SHBA funksionojnë 5,427 qendra të tilla, ndërsa janë kërkuar leje për ndërtimin e 3,969 të tjerave. Rreth 800 prej projekteve të reja janë tashmë në ndërtim. Investimet e parashikuara arrijnë shifra marramendëse, ndërsa Teksasi është një prej shteteve ku kjo industri po zgjerohet më shpejt.
Në këtë shtet funksionojnë aktualisht 305 qendra të të dhënave, 80 të tjera janë në ndërtim dhe 273 janë në fazë projektimi. Një pjesë e projekteve po zhvillohen në zona rurale, ku banorët shqetësohen se infrastruktura e re do të rëndojë mbi rrjetin elektrik dhe furnizimin me ujë.
Pakënaqësia ka marrë edhe përmasa politike, duke bashkuar demokratë dhe republikanë që deri dje qëndronin në kampe të kundërta. Shumë prej tyre e shohin zgjerimin e kësaj industrie si një përfitim të madh për kompanitë teknologjike, por me kosto të lartë për qytetarët.
Sipas një sondazhi të Gallup, 71 për qind e amerikanëve janë kundër ndërtimit të këtyre qendrave. Kjo pakënaqësi po ndikon edhe në garat politike në Teksas, ku kandidatët demokratë po përpiqen të fitojnë mbështetjen e votuesve ruralë, tradicionalisht republikanë.
Kandidati demokrat për Senatin, James Talarico, e ka kthyer këtë çështje në një prej temave kryesore të fushatës së tij. Ai akuzon rivalin Ken Paxton se mbron interesat e kompanive dhe financuesve të industrisë së qendrave të të dhënave. Sipas Talaricos, këto projekte rrezikojnë të shesin pasuritë dhe burimet e Teksasit në interes të miliarderëve.
Edhe gara për postin e guvernatorit është ndikuar nga kjo çështje. Guvernatori republikan Greg Abbott, i cili më parë i kishte mbështetur këto projekte si një mundësi për zhvillimin ekonomik, në shtator vendosi të pezullojë lejet për ndërtimet e reja dhe autorizimet mjedisore, deri në përfundimin e një kontrolli mbi kapacitetet e rrjetit elektrik dhe burimet ujore të shtetit.
Vendimi shihet si një përpjekje për të qetësuar banorët ruralë, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit republikan. Megjithatë, reagimi mund të ketë ardhur vonë, pasi sondazhet tregojnë se demokratët po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje në këto zona.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha të teknologjisë, mes tyre Google, Meta dhe Microsoft, po përpiqen të përmirësojnë imazhin e tyre. Ato kanë krijuar një koalicion të posaçëm dhe kanë premtuar se do të mbulojnë kostot e energjisë që kërkojnë qendrat e të dhënave, do të investojnë në shkolla dhe spitale, do të ulin konsumin e ujit dhe do t’u japin përparësi banorëve vendas në punësim.
Por këto premtime nuk kanë bindur të gjithë.
“Para zgjedhjeve të gjithë premtojnë gjithçka. Ne nuk u besojmë”, thotë Abigail Lindsey, e cila pavarësisht fitores së përkohshme kundër projektit, vazhdon të jetë e shqetësuar për të ardhmen e zonës ku jeton.
Ajo mendon se demokratët mund të fitojnë zgjedhjet në Teksas dhe të ofrojnë më shumë mbrojtje për banorët. Megjithatë, frika e saj mbetet se, deri në largimin e republikanëve nga pushteti në janar, projektet e qendrave të të dhënave mund të përshpejtohen.
Në një kohë kur kompanitë teknologjike po investojnë miliarda dollarë për zgjerimin e inteligjencës artificiale, kundërshtimi ndaj qendrave të të dhënave po shndërrohet në një nga çështjet që mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen politike të SHBA-së./ET
