Të hënën nis viti i ri shkollor dhe fjala e Ramës në episodin e parë të sezonit të 7-të të podcast-it ‘Flasim’ është për rezultatet e testit PISA 2025. Shqipëria mori 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 në lexim.
Rama tha se gjithçka vjen si pasojë e një pune të gjatë dhe transformimi për të rritur cilësinë në shkolla, ndërveprimit me prindërit, por edhe meritës së nxënësve. Ai theksoi se Shqipëria e nisi nga fundi, ndërsa sot është në majë.
“Nuk mund të mos i kushtohet arsimit në një moment të vitit kur po përfundojnë pushimet dhe përgatitjet e vitit dhe po nis një vit i ri arsimor. Nuk mund të rri dot pa e shfrytëzuar këtë rast për të shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, të cilat janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, teksteve, administrimit të shkollave ku sot kemi një numër jo të vogël drejtuesish që kalojnë te Shkolla e Drejtorëve dhe si rezultat i gjithë intensitetit dhe ndërveprimit mes shkollës e prindërve. Nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizojnë meritën e nxënësve, por nga ana tjetër nxënësit ishin po aty, ndërkohë që pjesët e tjera nuk ishin aty siç duhet dhe prandaj rezultatet e PISA-s nuk ishin të tilla dhe Shqipëria e filloi këtë ngjitje nga fundi, të fundit në distancë nga të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”, tha kryeministri./ad
