Viti 2026 pritet të jetë viti i madh për eksplorimin hapësinor. Nëse planet e NASA-s ecin sipas parashikimeve, katër astronautë do të fluturojnë rreth Hënës në një mision 10-ditor, duke u bërë njerëzit e parë që i afrohen satelitit tonë natyror që nga epoka e Apollo-s.
Misioni i njohur si Artemis II pritet të nisë që në shkurt të vitit 2026. Ky fluturim do të shërbejë si prova vendimtare për:
Raketën SLS (Space Launch System), gjenerata e re e raketave të NASA-s.
Anijen kozmike Orion, e cila do të mbajë ekuipazhin për herë të parë në hapësirë.
Gara hapësinore dhe objektivat strategjikë
Rikthimi në Hënë është bërë një prioritet kyç, veçanërisht në kuadër të rivalitetit me Kinën, e cila synon të dërgojë astronautët e saj në sipërfaqen hënore deri në vitin 2030.
Administrata e re e SHBA-ve ka udhëzuar NASA-n që të përshpejtojë planet për një prani të përhershme amerikane në hapësirë.
Administratori i ri i NASA-s, Jared Isaacman, konfirmoi se qëllimi nuk është thjesht një vizitë e shkurtër, por ndërtimi i infrastrukturës për qëndrime afatgjata, që do të shërbejnë si urë lidhëse për misionet e ardhshme drejt Marsit.
Kush janë katër “të përzgjedhurit”?
Ekuipazhi përbëhet nga tre astronautë të NASA-s dhe një i Agjencisë Hapësinore Kanadeze:
Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, veteranë që kthehen për herë të dytë në hapësirë.
Jeremy Hansen, astronauti kanadez që bën debutimin e tij në fluturimet hapësinore.
Shkenca pas misionit: Pse na duhet Hëna?
Për shkencëtarët, Hëna është një “arkivë” e paprekur e historisë së sistemit tonë diellor. Ndryshe nga Toka, ku moti dhe tektonika e pllakave fshijnë gjurmët e lashta, terreni hënor ka mbetur i pandryshuar për rreth 4.5 miliardë vjet.
Shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë origjinën e ujit në Hënë.
Misionet pasuese (Artemis III në 2027) synojnë Polin e Jugut, ku mendohet se ka rezerva të mëdha akulli, jetik për bazat e ardhshme.
Sfidat dhe rreziqet
Pavarësisht optimizmit, misioni Artemis II mbart rreziqe të larta. Kjo është hera e parë që sistemi i mbështetjes së jetës dhe teknologjitë e reja do të testohen me njerëz në bord.
Çdo dështim mund të bënte që i gjithë programi të kthehej në pikën zero./KM
