Godina historike e ish-maternitetit të Korçës, e ndërtuar si dhuratë për qytetin nga filantropi i shquar Thoma Turtulli, i është nënshtruar një procesi të plotë restaurimi, duke u shpëtuar nga asgjësimi dhe duke marrë një funksion të ri.
Kryeministri Edi Rama ndau lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se kjo godinë do të shërbejë tashmë si qendra administrative e Polit të ri të Dijes, duke ruajtur vlerat historike dhe arkitekturore, por edhe duke iu përshtatur nevojave bashkëkohore.
“Me Rilindjen e godinës historike të dikur maternitetit të Korçës, ndërtuar si dhuratë e të pavdekshmit Thoma Turtulli për qytetin e tij, e cila u shpëtua nga asgjësimi dhe do të shërbejë plot hir si qendra administrative e Polit të ri të Dijes, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Rikualifikimi i kësaj godine konsiderohet një hap i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Korçës dhe në dhënien e një fryme të re zhvillimi përmes dijes dhe administrimit modern./K.M
