Roma ka hapur për publikun një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të viteve të fundit: një kompleks monumental me afreske dhe mozaikë të epokës romake, i fshehur për shekuj nën tokë pranë Koloseut.
Veprat ndodhen në kodrën Oppian, ku është inauguruar një muze i ri që përfshin “Qytetin e Pikturuar” dhe “Mozaikun e Madh”.
Të dyja datojnë nga shekulli i I-rë pas Krishtit dhe u zbuluan gjatë gërmimeve në vitet 1990.
Mozaiku monumental, rreth 15 metra i lartë, paraqet kolona, elemente arkitekturore dhe figura të organizuara në katër nivele.
Në pjesën e sipërme shfaqen skena me njerëz, ndërsa në pjesën e poshtme paraqitet nga lart struktura e një qyteti portual.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, i cilësoi veprat “unike në botë”, si për bukurinë artistike, ashtu edhe për rëndësinë historike dhe dokumentuese.
“Qyteti i Pikturuar” është një afresk prej rreth 10 metra katrorë, që i përket një ndërtese më të hershme se banjat termale të Trajanit dhe paraqet një qytet të parë nga lart.
Në mozaikun monumental “Muza dhe Filozofi” paraqitet me hollësi një port romak.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një vend real apo imagjinar, megjithëse disa studiues kanë hedhur hipotezën se mund të lidhet me vendin e prehjes së perandorit Klaudi.
Banjat termale të Trajanit u projektuan nga Apollodori i Damaskut me kërkesë të perandorit Trajan dhe u përuruan në vitin 109 pas Krishtit.
Kompleksi shtrihej në rreth 60 mijë metra katrorë dhe ishte në atë kohë struktura më e madhe termale në botë.
Restaurimi ka përfshirë edhe krijimin e rrugëve të reja për këmbësorët, pikave panoramike dhe hapësirave për koncerte, konferenca dhe aktivitete kulturore.
Për të mbrojtur veprat, vizitat do të jenë fillimisht të kufizuara.
Në fundjavën e 12 dhe 13 shtatorit do të zhvillohen ture falas me rezervim, ndërsa nga 2 tetori vendi do të jetë i hapur nga e premtja deri të dielën, me gjashtë orare vizitash në ditë dhe maksimumi 15 persona për grup. / Euronews-ad
