Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez duket se kanë zgjedhur ta kurorëzojnë martesën e tyre larg vëmendjes së publikut, me një ceremoni tepër intime në rezidencën e futbollistit në Quinta da Marina.
Sipas Daily Mail, në dasmë kanë qenë vetëm katër të ftuar, përveç fëmijëve të çiftit. Mes tyre ishin motra e Georginës, Ivana, miku i vjetër i Ronaldos, Miguel Paixão, si dhe çifti spanjoll José Rodríguez Sangil dhe Mónica González Martínez.
Por përveç ceremonisë së vogël, vëmendje ka tërhequr edhe mënyra se si çifti ka vendosur të rregullojë çështjet financiare përmes një marrëveshjeje paramartesore.
Sipas raportimeve, Ronaldo dhe Georgina kanë zgjedhur të mbajnë të ndara pasuritë që zotëronin përpara martesës. Dokumenti që përcakton regjimin pasuror të çiftit dyshohet se është firmosur më 10 gusht, pranë një noteri në Lisbonë, vetëm një ditë përpara martesës.
Detajet u bënë publike pasi gazeta portugeze Jornal de Notícias siguroi një kopje të certifikatës së martesës. Në dokument figuron emri i plotë i Cristiano Ronaldos, 41 vjeç, së bashku me të dhënat e tij të lindjes dhe emrat e prindërve, përfshirë babain e ndjerë, José Dinis Aveiro.
Edhe për Georginën, 32 vjeç, dokumenti përmban të dhënat personale, duke e identifikuar me emrin e plotë Georgina Luisa Rodríguez Hernández dhe duke shënuar Buenos Airesin si vendlindjen e saj.
Sipas certifikatës, të dy kanë vendosur të vazhdojnë të përdorin mbiemrat e tyre para martesës.
Martesa është regjistruar me numrin 1,493 dhe, sipas raportimeve, dokumentacioni duket se është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Portos, edhe pse ceremonia u zhvillua në zonën e Cascais.
Çifti e bëri publike fejesën rreth një vit më parë dhe tani ka zyrtarizuar lidhjen pas vitesh së bashku dhe krijimit të një familjeje të madhe./mxh
