Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, u bëri thirrje aleatëve evropianë të shtojnë me shpejtësi kapacitetet e tyre mbrojtëse, duke theksuar edhe një herë “rrezikun gjithnjë e më të madh” që vjen nga Rusia. Ai e përshkroi rajonin e Detit Baltik si “fushë testimi” të Vladimir Putin, ndërsa sulmet hibride i quajti “strategji” dhe “ogurzinj”.
“Situata e sigurisë në Europë është shumë serioze dhe kërcënimi nga Rusia është real”, tha Pistorius gjatë Konferencës së Sigurisë në Berlin. Së bashku me ministrin suedez të mbrojtjes, Pål Jonson, ata nënshkruan një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me projekte të përbashkëta në trajnim dhe teknologji të reja.
Sulme hibride, sabotime dhe tensione në Baltik
Ministri gjerman përmendi shembuj konkretë të kërcënimeve ruse: kabllo të dëmtuara nënujore, shkelje të hapësirës ajrore dhe fluturime dronësh ushtarakë.
“S’kemi më të bëjmë me rastësi, kjo është strategji. Janë paralajmërime”, theksoi Pistorius, duke shtuar se Europa duhet të japë përgjigje konkrete, jo thjesht të flasë.
Ai vuri në dukje se bashkëpunimi Gjermani–Suedi është më i ngushtë se kurrë në fushat e industrisë së mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe stërvitjeve ushtarake.
Forcat e armatosura të të dy vendeve zhvillojnë stërvitje të përbashkëta në Baltik, si Aurora, Northern Coasts dhe Baltops, ndërsa zhvillojnë së bashku sisteme të teknologjisë së avancuar, përfshirë mjetin CATV All-Terrain dhe tankun Leopard.
Pistorius shtoi se edhe modeli i ri gjerman i shërbimit ushtarak bazohet pjesërisht në modelin suedez.
“Evropa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj”! Suedia dhe NATO me rol kyç
Ministri suedez Jonson e quajti marrëveshjen e re një “gur kilometrik” në bashkëpunimin dypalësh. Ai tha se Suedia dhe Gjermania kanë përgjegjësi të përbashkët për sigurinë e Baltikut, të Europës dhe për forcimin e NATO-s.
“Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një mesazh të qartë: Europa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj”, theksoi ai, duke paralajmëruar edhe ai për rrezikun në rritje nga Rusia.
Zyrtarët e NATO-s paralajmërojnë për urgjencë strategjike
Gjenerali gjerman i NATO-s, Ingo Gerhartz, kritikoi mungesën e “pjekurisë strategjike” në Gjermani dhe kërkoi reforma të shpejta: modernizim të sistemit të prokurimeve, zbatim të menjëhershëm të modelit të ri të rekrutimit dhe rritje të gatishmërisë mbrojtëse në nivel shoqëror.
“Nëse Gjermania do të jetë faktor real sigurie, duhet ta kuptojë se investimi vetëm në pajisje nuk mjafton”, tha ai.
Ai paralajmëroi se NATO nuk duhet të humbasë besueshmërinë dhe theksoi:
“NATO duhet të jetë në gjendje të ‘parandalojë përmes Gjermanisë’, jo të zëvendësojë përgjegjësitë e saj”.
Suedi: Rusia është më e rrezikshme kur është nën presion
Shefi i forcave të armatosura suedeze, Micael Byden, në një intervistë për radios gjermane, deklaroi se Rusia mund të bëhet edhe më e rrezikshme për shkak të presionit aktual, duke synuar jo domosdoshmërisht një luftë të hapur me NATO-n, por përçarjen politike dhe shoqërore të aleancës përmes strategjive hibride. m.p.
