Shkalla e gripit pritet të jetë e lartë këtë dimër në Mbretërinë e Bashkuar, pas një sezoni rekord në Australi dhe paralajmërimeve nga rajoni Azia-Paqësor, ku Japonia ka shpallur tashmë epideminë e gripit dhe ka mbyllur shumë shkolla. Ekspertët paralajmërojnë se vala e gripit mund të jetë më e hershme dhe më e ashpër se zakonisht, duke rritur presionin mbi NHS.
Shkak i rritjes së rasteve është një variant i driftuar i gripit A, veçanërisht nënlloji H3N2, i cili ka ndryshuar më shumë gjatë verës sesa parashikohej dhe nuk përputhet plotësisht me vaksinat e përgatitura për këtë sezon, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA). Rritja e rasteve është parë fillimisht tek adoleshentët dhe të rinjtë, pastaj tek fëmijët më të vegjël, dhe në 84% të rasteve është identifikuar nënlloji H3N2.
Shifrat e fundit tregojnë se sezoni i dimrit mund të jetë vdekjeprurës. Gjatë dimrit të kaluar në Angli vdiqën 7,757 persona nga gripi, më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin paraardhës, dhe vdekjet e fëmijëve nga gripi u rritën nga 34 në 53. Ndërkohë, pranimet në spital për grip janë dukshëm më të larta këtë vit, me 3.9 persona për 100,000 banorë në javën që filloi më 3 nëntor, krahasuar me 1.2 për 100,000 vitin e kaluar.
Kreu i NHS England, Jim Mackey, paralajmëroi se ky dimër do të jetë “një nga më të vështirat që stafi ka përjetuar ndonjëherë”. Ai shtoi se Australia ka kaluar sezonin më të keq të gripit me mbi 410,000 raste, dhe të gjitha shenjat tregojnë se NHS do të përballet me sfida të ngjashme nga dhjetori deri në mars.
Vaksinat mbeten një mjet i rëndësishëm mbrojtës. Sipas UKHSA, vaksina e këtij sezoni ka efikasitet 70-75% te fëmijët nga 2 deri në 17 vjeç për të parandaluar shtrimet në spital dhe 30-40% te të rriturit. Dr Jamie Lopez Bernal, epidemiolog në UKHSA, theksoi se vaksina do të ndihmojë gjithmonë për të mbrojtur më të rrezikuarit, pavarësisht se cili variant i gripit qarkullon. Ai rekomandoi gjithashtu higjienë të mirë respiratore dhe shmangien e kontakteve nëse shfaqen simptoma.
Derisa po përgatitet sezoni i dimrit, NHS ka shpërndarë deri më tani 14.4 milion vaksina kundër gripit, mbi 160,000 më shumë se në të njëjtën periudhë vitin e kaluar, duke synuar të ulë ndikimin mbi shëndetin publik dhe spitalet.
