Një rritje e ndjeshme e virozave sezonale është regjistruar ditët e fundit në qytetin e Pogradecit, duke sjellë fluks të shtuar pacientësh në spitalin rajonal. Që prej pragut të festave të Krishtlindjeve, shërbimi pediatrik dhe ai për të rritur po përballen me një numër të lartë vizitash ditore, kryesisht për shkak të temperaturave të larta, kollës dhe problemeve respiratore.
Më të prekurit janë fëmijët, por edhe të rriturit po paraqiten në numër të madh në urgjencë. Sipas mjekëve, kushtet atmosferike me lagështirë dhe temperaturat e ulëta kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e rasteve me viroza dhe influencë.
“Që prej pragut të Krishtlindjeve pati një rritje të fluksit të fëmijëve në pediatri, por edhe të të rriturve në spitalin e Pogradecit. Në pediatri pati një rritje të fëmijëve me viroza të rrugëve respiratore, me virusin e influencës, duke prekur të gjitha grupmoshat. Fluksi ka qenë me vizita ditore rreth 60–70 fëmijë, ndërsa edhe tek të rriturit ka pasur rreth 70 vizita në ditë me shenja temperature”, shprehet Bexhet Liçkollari, shef i shërbimit spitalor Pogradec
Sipas drejtuesit të shërbimit spitalor, situata ka sjellë edhe rritje të numrit të shtrimeve në pavijonin e pediatrisë, ku shumë fëmijë kanë pasur nevojë për trajtim spitalor për shkak të komplikacioneve që shoqërojnë virozat respiratore.
“Fëmijët duhet të paraqiten që ditën e dytë për vizitë në pediatri, po ashtu edhe të rriturit. Ka shumë shtrime, ku për 10 ditë në pediatri janë shtruar 100 fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Në pediatri më shumë ndikon një kohë me lagështirë, e cila sjell viroza respiratore, ndërsa temperaturat e ulëta ndikojnë tek të rriturit”, tha Liçkollari.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, të cilët janë më të rrezikuar nga komplikacionet që mund të sjellin virozat sezonale.
“Fëmijët duhet të vishen mirë, të evitojnë qëndrimin në ambiente të ftohta. Të njëjtat këshilla janë edhe për të rriturit dhe të paraqiten menjëherë në shfaqjen e shenjave të virozës”,shprehet mjeku.
Stafi mjekësor këshillon qytetarët që të mos neglizhojnë simptomat dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë, për të shmangur përkeqësimin e gjendjes shëndetësore. /Kb
