Last Updated on 14/08/2026 by EL
Në krahasim me periudhën janar-korrik të vitit 2025, numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë është rritur me 1.6%. Sipas drejtorit të regjistrimit të mjeteve, Arben Progni, në vetëm shtatë muajt e këtij viti kanë hyrë në qarkullim mbi 58 mijë makina.
“Gjatë periudhës janar-korrik, për shtatë muaj, janë regjistruar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë rreth 58.500 automjete”, tha Progni.
Nga shifrat e fundit duket se shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë makinat elektrike, me një rritje prej 2.6 herë krahasuar me 2025-n.
“Flota e mjeteve elektrike është rreth 20.000 mjete, por për periudhën janar-korrik janë regjistruar 6400 mjete full elektrikë, që janë 100% elektrike. E kjo në evoluimin e flotës është rreth 50% më shumë. Ndërsa, referuar po të njëjtës periudhë në vitin 2025, mjete elektrike kemi 126% më shumë”, tha ai.
Në dy vitet e fundit, Koreja e Jugut dhe Kina mbeten tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet.
“Vendet kryesore janë Republika e Koresë, Kina, SHBA, Italia, Gjermania, Zvicra”, tha ajo.
Në fund të muajit korrik totali i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti rreth 1.1 milion./et
