Shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë, rritja e çmimeve të energjisë, karburantit dhe produkteve ushqimore po shton pakënaqësinë sociale dhe po e vendos fuqinë blerëse në qendër të debatit politik.
Thirrjet për protesta në rrjetet sociale kanë rikthyer në vëmendje kujtimin e jelekverdhëve, lëvizjes së gjerë sociale që tronditi Francën në vitet 2018-2019.
Megjithatë, përmasat e mobilizimit të ri mbeten ende të paqarta.
Në La Rochelle, një protestë kundër çmimeve të karburantit mblodhi rreth 50 persona.
Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi për rritjen e shpenzimeve të përditshme, ndërsa në zona të tjera të vendit janë shënuar protesta dhe bllokime të infrastrukturës energjetike.
Sipas një sondazhi, 54% e francezëve e rendisin fuqinë blerëse ndër shqetësimet kryesore.
Pas saj vijnë e ardhmja e sistemit social me 40%, mjedisi dhe emigracioni me nga 31%, si dhe niveli i borxhit dhe deficitit me 30%.
Rritja e çmimeve po prek veçanërisht familjet me të ardhura më të ulëta.
Çmimet e energjisë janë rritur me rreth 16%, ndërsa disa produkte të freskëta, përfshirë domatet, kungujt dhe sallatat, kanë shënuar rritje rreth 20%.
Për shumë familje, shpenzimet për karburant janë bërë një tjetër barrë e rëndësishme.
Situata politike e vështirëson reagimin e qeverisë.
Presidenti Emmanuel Macron përballet me nivele të ulëta të mbështetjes dhe qeveria nuk ka një shumicë në Asamblenë Kombëtare, ndërsa njëkohësisht përballet me presion për uljen e shpenzimeve publike.
Ndërkohë, partitë politike po e vendosin gjithnjë e më shumë fuqinë blerëse dhe pagat në qendër të propozimeve të tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Në të majtë kërkohen rritje pagash dhe masa sociale, ndërsa në të djathtë dhe qendër janë propozuar ulje të kontributeve sociale për të rritur pagën neto.
Në të djathtën ekstreme është kërkuar ulja e TVSH-së për energjinë nga 20% në 5,5%.
Ndryshe nga viti 2018, kur protestat e jelekverdhëve nisën kryesisht si reagim ndaj kostos së karburantit, këtë herë pakënaqësia po shfaqet në prag të një zgjedhjeje presidenciale.
Kjo e bën fuqinë blerëse, çmimet dhe kërkesën për ndryshim politik ndër çështjet kryesore që pritet të ndikojnë debatin elektoral francez./mxh
