Last Updated on 04/11/2025 by EL
Nga 1 janari pensionet për të gjithë qytetarët do të rriten. Shtesë do të përfitojnë pensionet e pleqërisë, të invaliditetin dhe ato familjare.
E ftuar në “Repolix” me Denis Mingën në Report Tv, gazetarja e ekonomisë, Eliza Gjediku, tha se për 4 vitet e ardhshme kjo rritje do t’i kushtojë qeverisë 455 milionë euro në total.
Gjediku sqaroi se shtesat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama janë bonuse të përmuajshme, dhe jo rritje pensioni. Kjo formulë e zgjedhur nga qeveria, sipas gazetares do të aplikohet deri sa të dalë ligji i ri për sigurimet shoqërore.
Nuk do të ketë një ndryshim të skemës. Është vendosur që, ndryshe nga bonuset vjetore apo dy herë në vit, të ketë bonuse të përmuajshme. Ne duhet të qartësojmë se pensioni rritet një herë në vit, por ajo rritje që bëhet në janar shoqëron pensionistin deri në shtator. Një qytetar që merr sot 200 mijë lekë me pensionin urban, me vite të plota pune, i bëhet shtesa e këtij viti nga janari 18 mijë lekë dhe shkon 218 mijë lekë. Në janar të 2027 shtohet përsëri me 17 mijë lekë. Kjo skemë që është prezantuar ditën e sotme nga kryeministri Rama parashikon një bonus mujor, se nuk do të quhet rritje pensioni, por bonus mujor pensioni. Që të bëhet rritje e pensioneve, duhet njëherë ndryshuar ligji. Ligji parashikon vetëm indeksim për rritjen e pensioneve. Kjo rritje që do të bëhet nga janari do të quhet bonus mujor. Deri në 2029 do jetë”,- tha Gjediku.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Jani Marka, tha se qeveria po bën një lojë fjalësh me pensionistët. Sipas tij, gjasat janë që në dhjetorin e vitit 2026, pensionistët të mos marrin bonusin që varion nga 10 mijë lekë, deri në 15 mijë lekë, dhe ky bonus do t’u jepet përgjatë 12 muajve.
“Kur dëgjova sot prononcimet e kryeministrit, mu duk si fushatë elektorale. Thelbin e diskutimit duhet ta shohim se çfarë ndodh në janarin dhe shtatorin e vitit të ardhshëm. Duket se nuk do ketë ndonjë ndryshim. Nuk dihet nëse do ketë ndonjë bonus në dhjetorin e vitit të ardhshëm. Ajo që po ndodh, ajo që pensionistët marin këtë muaj në dhjetor, do shpërndahet vitin e ardhshëm”,- tha Marka.
Ekonomisti Fatos Çoçoli u shpreh se nga viti i ardhshëm indeksimi i pensioneve do të bëhet në bazë të shumës së pensionit dhe bonusit të përmuajshëm që do t’u shpërndahet pensionistëve.
“Indeksimi bëhet mbi bazën e shumës së parave që në muajin shtator pensionisti do marrë. Deri tani, me ligj, pension quhet pa shtesat e bonuseve. Nuk bëhet fjalë për ndonjë reformë reale me pensionet, bëhet fjalë për shtesa reale me pensionet”,- tha Çoçoli./e.t
