Në një intervistë për Fox News, sekretari amerikan I Shtetit, Marco Rubio, vuri në pikëpyetje vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të siguruar mbështetje të pakufizuar financiare për luftën në Ukrainë.
Ai theksoi se ideja e vazhdimit të dhënies së fondeve pa limit për aq kohë sa të zgjasë lufta nuk përputhet me realitetin.
“Disa njerëz kanë këtë ide se politika jonë duhet të jetë të vazhdojmë t’i financojmë Ukrainës një shumë të pakufizuar për aq kohë sa të zgjasë lufta. Kjo nuk është reale. Nuk përputhet me realitetin. Dhe nuk do të ndodhë. Nuk mund të përballosh një shkallë dhe përmasë të tillë. Dhe gjithashtu nuk mendoj se është realiste që edhe Rusia ta vazhdojë këtë luftë për katër ose pesë vjet,” theksoi Rubio.
Rubio tha se, megjithatë, Amerika po mbështet zhvillimin e garancive afatgjata të sigurisë për Ukrainën, një përpjekje që sipas tij synon të sigurojë që banorët të mos pushtohen më kurrë, por edhe që Ukraina të rindërtojë ekonominë dhe të zhvillohet si një vend sovran dhe I sigurt.
“Ajo për të cilën ata po luftojnë tani është një hapësirë prej rreth 30 deri në 50 kilometrash në 20% të rajonit të Donetskut që ka mbetur. Dhe kështu, ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë është të kuptojmë se me çfarë mund të jetojnë ukrainasit që tu japë atyre garanci sigurie për të ardhmen, që ata nuk do të pushtohen më kurrë, por edhe të përparojnë si vend, të jenë një vend që ka një ekonomi që rritet,” deklaroi sekretari amerikan.
Por Shtetet e Bashkuara edhe mund të heqin dorë nga përpjekjet për t’I dhënë fund luftës. Kështu la të kuptohet nga deklarata e Rubios, i cili tha se në fund të fundit kjo luftë nuk është e amerikanëve.
Por në terren situata nuk ka ndryshuar. Autoritetet ruse kanë publikuar pamje, ku shihen flamujt rusë që valëviten mbi çatinë e një ndërtese të shkatërruar në hyrje të Pokrovsk, me pretendimin se tashmë ato zotërojnë këtë rajon të Ukrainës.
Ndërkohë, ukrainasit shprehen skeptikë që këto bisedime paqeje do të japin rezultat, pasi sipas tyre Moska i ka qëllimet e qarta dhe gadishmëria për t’I dhënë fund luftës është thjesht fasadë./mxh
