Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka paralajmëruar në Senat se Uashingtoni mund të kryejë një tjetër operacion ushtarak në Venezuelë nëse autoritetet e reja nën udhëheqjen e Delcy Rodriguez, nuk bashkëpunojnë me kërkesat amerikane.
Ky paralajmërim vjen pas një operacioni ushtarak të SHBA-së më 3 janar 2026, në të cilin forcat amerikane kapën ish-presidentin Nicolás Maduro dhe gruan e tij, një operacion që Uashingtoni e ka justifikuar si pjesë të luftës kundër narkotikëve.
Pas largimit të Maduros, Rodríguez u emërua si presidente e përkohshme dhe ka nisur bisedime me SHBA-në, duke liruar disa të burgosur politikë dhe duke avancuar kontakte diplomatike.
Megjithatë, inteligjenca amerikane ka shprehur dyshime mbi nivelin e bashkëpunimit të saj me Uashingtonin, sidomos në çështjet e lidhjeve me vende të tjera si Kina apo Rusia./Kb
