Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se është shënuar “progres i rëndësishëm” në bisedimet me Iranin, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime të reja gjatë ditës së sotme.
Në prononcimin e tij, Rubio theksoi se megjithëse situata nuk është përfundimtare, ekziston mundësia që bota të marrë “lajme të mira” brenda pak orësh, veçanërisht në lidhje me situatën në ngushticë.
Megjithatë, ai shtoi se “kemi ende punë për të bërë” dhe preferoi t’ia lërë Presidentit Donald Trump njoftimet zyrtare mbi detajet e marrëveshjes.
Sekretari i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e prerë të SHBA-së se Irani nuk mund të zotërojë kurrë një armë bërthamore, duke i cilësuar si “absurde” zërat se administrata amerikane mund të pranonte një marrëveshje që do ta forconte pozitën e Teheranit në këtë çështje.
Gjatë konferencës, Rubio konfirmoi gjithashtu se objektivat e operacionit ushtarak “Epic Fury” janë arritur. Sipas tij, qëllimet e qarta të këtij operacioni ishin shkatërrimi i marinës iraniane, neutralizimi i aftësisë për lëshimin e raketave balistike dhe dëmtimi i bazës industriale të mbrojtjes së Iranit.
Duke u përgjigjur pyetjeve mbi dëmet e raportuara në shkolla që prej fillimit të luftës më 28 shkurt, Rubio refuzoi të komentojë mbi taktikat ushtarake, duke u kufizuar në deklaratën se synimet strategjike të SHBA-së janë përmbushur plotësisht./ kb
