Rumania ka urdhëruar dëbimin e një anëtari të Ambasadës së Rusisë, si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës së saj ajrore nga dronë rusë.
Ministria e Jashtme rumune e cilësoi vendimin si një “përgjigje të vendosur”, ndërsa diplomatit të shpallur persona non grata i është lënë afat pesë ditë për të larguar vendin.
Vendi fqinj me Ukrainën ka përjetuar disa incidente ditët e fundit.
Në fundjavë, ushtria rumune rrëzoi tre dronë brenda tre ditësh, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore u raportua edhe të hënën.
Autoritetet rumune ia paraqitën ambasadorit rus Vladimir Lipaev edhe mbetjet e një droni të tipit “Shahed”, i përdorur nga Rusia në sulmet kundër Ukrainës dhe i rrëzuar nga një avion luftarak rumun F-16.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Rumania është përballur vazhdimisht me hyrje të paautorizuara të dronëve në territorin e saj.
Disa prej tyre janë rrëzuar në tokën rumune, ndërsa në muajin maj një dron goditi një ndërtesë banimi, duke plagosur dy persona.
Pas incidenteve të shumta, NATO dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar shkeljet e hapësirës ajrore të një vendi anëtar dhe i kanë bërë thirrje Rusisë të shmangë përsëritjen e tyre.
Ndërkohë, në vitin 2025, Parlamenti rumun miratoi një ligj që i jep ushtrisë të drejtën të rrëzojë çdo dron që shkel hapësirën ajrore të vendit./mxh
