Rumania kërkon që NATO-ja të ndërmarrë veprime të përbashkëta, për t’iu kundërvënë sulmeve hibride, në përgjigje të kërcënimeve që vijnë nga Rusia, deklaroi sot ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculăescu.
Sulmet hibride mund të përfshijnë operacione ushtarake, ekonomike, të inteligjencës dhe propagandës, ndërsa shtetet që qëndrojnë pas tyre, shpesh përpiqen të fshehin përfshirjen e tyre.
Në këtë kategori përfshihen edhe sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit, që synojnë të ndikojnë opinionin publik.
“Deri më tani, përballja me këto kërcënime ka qenë çështje e përgjegjësisë kombëtare brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Neculăescu në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”.
“Na duhet të paktën një pamje e përbashkët e situatës dhe duhet të kërkojmë në mënyrë sistematike lidhjet mes këtyre sulmeve. A qëndrojnë të njëjtët aktorë pas sulmeve në Gjermani, Estoni apo Rumani?”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, disa vende aleate mbështesin idenë që, mbrojtja kundër sulmeve hibride të bëhet pjesë e detyrave operacionale të NATO-s.
Të tjera e kundërshtojnë këtë qasje, pasi shohin rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë.
Neculăescu akuzoi Moskën se synon të vendosë kontrollin e vetëm mbi Detin e Zi.
“Askush tjetër nuk duhet të jetë aty. Por ne jemi aty: Rumania, Bullgaria, Turqia, Ukraina dhe vende të tjera. Kemi të drejtë të mbrohemi, por edhe të drejtën për paqe”, deklaroi ai.
Sipas ministrit rumun, Deti i Zi po kthehet në një pikë të dobët të sigurisë evropiane.
“Askund tjetër në Evropë nuk përjetojmë kaq shumë incidente që ia atribuojmë Rusisë: sulme me dronë, mina detare dhe sulme ndaj anijeve tregtare”, tha ai.
Anijet tregtare në brigjet e Rumanisë, janë sulmuar disa herë së fundmi nga dronë që dyshohet se janë rusë.
Në disa raste, nga këto sulme ka pasur viktima dhe të plagosur, ndërsa anije janë fundosur.
Në përgjigje të incidenteve, NATO-ja ka shtuar patrullimet ajrore dhe detare në rajon./mxh
