Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se përpjekjet e NATO-s për ta afruar Ukrainën drejt strukturave të saj përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e Rusisë. Ajo theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në një aleancë ushtarake që e ka shpallur Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë është “i papranueshëm” për Moskën.
“NATO vazhdon përpjekjet për ta tërhequr Ukrainën në orbitën e saj dhe kjo mbetet një kërcënim për ne. Anëtarësimi i Ukrainës në këtë aleancë agresive, e cila e quan Rusinë objektiv dhe kërcënim të sigurisë në të gjitha mjediset operacionale, është i papranueshëm,” tha Zakharova, duke shtuar se thelbi i veprimtarisë së NATO-s është kundërvënia ndaj Rusisë.
Deklaratat u bënë në Moskë, ndërsa tensionet midis Rusisë dhe aleancës perëndimore mbeten të larta për shkak të situatës në Ukrainë./mxh
