Kremlini ka përshëndetur të premten sinjalet që, sipas tij, vijnë nga Italia, Franca dhe Gjermania për rifillimin e dialogut me Rusinë mbi luftën në Ukrainë, duke i cilësuar ato si një “ndryshim të rëndësishëm” që përputhet me qëndrimin e Moskës për mënyrën se si duhet të zhvillohet situata.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se disa vende evropiane po tregojnë gatishmëri për të rihapur kanalet e komunikimit me Rusinë, ndërsa theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet jashtë këtij qëndrimi.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka bërë të ditur se Londra nuk mendon se ka ardhur momenti për një riangazhim me Moskën. Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se nuk ka parë asnjë provë që Rusia synon paqe në Ukrainë.
“Sa i përket Britanisë, po, Britania vazhdon të mbajë një qëndrim radikal,” tha Peskov, duke komentuar dallimet mes qëndrimeve evropiane ndaj Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit bëri të ditur gjithashtu se Rusia ka një dialog të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, por se një dialog i tillë nuk ekziston aktualisht me qeveritë evropiane./mxh
