Mos prisni që presidenti rus të kërkojë paqe. Përkundrazi, ai mund të vazhdojë ta zgjerojë luftën përtej kufijve të Ukrainës – me pasoja të rënda për të gjithë ne.
Simon Tisdall
Pothuajse të gjithë mendojnë se Vladimir Putini ndodhet në vështirësi të mëdha në Ukrainë. Të gjithë – që do të thotë Volodimir Zelenski, mbështetësit e tij evropianë dhe analistët e komentatorët ushtarakë perëndimorë – duket se besojnë se diktatori rus po shkon drejt një poshtërimi historik. Natyrisht, ata mund të gabojnë. Por çfarë ndodh nëse kanë të drejtë? Si mund të reagojë një Putin i dëshpëruar, i rrethuar dhe i frikësuar për politikën dhe vetveten, përballë perspektivës së humbjes? Duke gjykuar nga sjellja e tij e deritanishme, ai do ta përshkallëzojë konfliktin, jo do të dorëzohet. Mundësitë e tij shtrihen nga propagandat dhe manipulimet në internet deri te lufta bërthamore.
Për Ukrainën, lajmet e fundit janë kryesisht pozitive. Duke përdorur dronë dhe raketa të sofistikuara të prodhimit vendas, ajo i ka detyruar pushtuesit të kalojnë në mbrojtje. Humbjet ruse në të vrarë dhe të plagosur thuhet se arrijnë në rreth 30 mijë në muaj. Përparimi i tyre është ndalur dhe në disa zona është zmbrapsur. Sulmet ajrore ukrainase thellë brenda territorit rus po e sjellin luftën në shtëpitë e një publiku të mashtruar dhe të zhgënjyer. Shën Petersburgu digjet. Mungesat e karburantit po shkaktojnë panik në blerje. Çmimet dhe taksat po rriten. “Operacioni special ushtarak” i Putinit, që në vitin 2022 supozohej të sillte një fitore të shpejtë, tashmë ka zgjatur më shumë se Lufta e Parë Botërore.
Ukrainasit vazhdojnë të vuajnë sulme ajrore të përditshme, gjithnjë e më të pakontrolluara. Megjithatë, duke folur për Guardian javën e kaluar, Zelenski u shpreh optimist se makthi mund të jetë afër fundit. Kjo pikëpamje mbështetet deri diku edhe nga ekspertët perëndimorë. Xhek Uatling, specialist i luftës tokësore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, shkroi këtë muaj se fuqia luftarake ruse në fushëbetejë po dobësohet dhe se një armëpushim mund të jetë i arritshëm. “Egërsia e Putinit tejkalohet vetëm nga kotësia e saj. Ngadalë, por me siguri, ai po e humbet luftën e tij”, shkroi komentatori amerikan Seth Stodder.
Mirëpo lindin tri pyetje të pakëndshme.
Së pari, a e kupton vetë Putini se po humbet? Lideri rus është një tip konservator, brutal dhe i formuar nga mentaliteti i vjetër sovjetik. Ai mendon se Rusia është ende një superfuqi, jo ajo që e ka bërë ai: një shtet i izoluar dhe i varur nga Kina. Thuhet se Putini nuk përdor telefon inteligjent dhe as internetin. Ai mbështetet te rrethi i ngushtë i burokratëve, gjeneralëve besnikë, agjentëve dhe mediave shtetërore, të cilët i thonë atë që dëshiron të dëgjojë. Nëse është kështu, ai thjesht do të vazhdojë përpara pa marrë parasysh realitetin.
Por kjo çon te pyetja e dytë, edhe më shqetësuese: çfarë do të bëjë Putini nëse dhe kur flluska e Kremlinit shpërthen dhe ai kupton papritur se po i afrohet një humbje strategjike dhe personale shkatërrimtare? Mos prisni që ai të kërkojë paqe. Vetëm javën e kaluar ai hodhi poshtë me përçmim ofertën e Zelenskit për bisedime armëpushimi, duke përsëritur me kokëfortësi objektivat e tij të luftës.
Reagimi më i mundshëm i Putinit do të ishte zgjerimi i zonës aktive të luftës përtej Ukrainës, duke tërhequr potencialisht në përplasje të drejtpërdrejtë vendet evropiane anëtare të NATO-s, të cilat deri tani e kanë shmangur një konfrontim të tillë. Në shumë aspekte kjo tashmë po ndodh. Kjo shpjegon paralajmërimet gjithnjë e më urgjente të shefave evropianë të sigurisë, inteligjencës dhe ushtrisë, sipas të cilëve sabotimet, destabilizimet dhe presionet ruse po shtohen sa më shumë që Rusia has vështirësi në Ukrainë.
“Vija e frontit është kudo”, paralajmëroi drejtuesja e MI6, Blais Metreveli. “Eksportimi i kaosit nuk është një defekt, por një tipar i qasjes ruse ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.” Sipas saj, kjo buron nga mentaliteti agresiv, ekspansionist dhe revizionist i Putinit.
Edhe kryeministri britanik Kir Starmer ka deklaruar se inteligjenca perëndimore beson se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda katër viteve të ardhshme.
Anne Keast-Butler, drejtoreshë e agjencisë britanike të përgjimeve GCHQ, deklaroi muajin e kaluar se forcat ruse “po shkojnë mbrapa në fushëbetejë”. Si kundërpërgjigje, Putini ka shtuar presionin mbi aleatët dhe fqinjët e Ukrainës përmes sulmeve kibernetike dhe fushatave të fshehta të dezinformimit. Moska po synon pa pushim infrastrukturën kritike, proceset demokratike, zinxhirët e furnizimit dhe besimin publik.
Agresioni rus po bëhet gjithashtu më fizik. Hyrjet e dronëve të armatosur dhe avionëve luftarakë në hapësirën ajrore të NATO-s po shtohen. Mijëra incidente të ndërhyrjes në sinjalet GPS, që ndikojnë aviacionin civil dhe navigimin detar, i atribuohen Rusisë. Rrjeti hekurudhor i Polonisë, i rëndësishëm për furnizimin e Ukrainës, është sabotuar. Sulme të ngjashme kanë pësuar Gjermania dhe Britania. Tubacionet dhe kabllot nënujore në Baltik janë dëmtuar. Në këtë luftë të pashpallur, kufiri tokësor i Norvegjisë me Rusinë, Deti i Veriut dhe Atlantiku Verior po shndërrohen në fronte të reja.
Fusha e zgjeruar e betejës ka edhe një dimension të fortë gjeopolitik. Bashkimi Evropian, pasi vendosi sanksione të reja ndaj Rusisë javën e kaluar, po hap zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën. Samiti i ardhshëm i NATO-s do të sjellë premtime të reja solidariteti, pavarësisht lëkundjeve të politikës amerikane. Në kufirin lindor të Evropës, veçanërisht në Moldavi dhe Armeni, fushatat ruse të ndikimit janë zmbrapsur. Humbja e Viktor Orbánit në Hungari ishte një goditje e rëndë për Putinin dhe për forcat populiste nacionaliste pro-ruse. Ballkani Perëndimor mbetet një tjetër terren prove.
Sipas qendrës studimore Centre for Democracy & Resilience, Rusia pritet të intensifikojë edhe më tej operacionet e saj hibride në Evropë. Një objektiv kryesor është minimi i veprimit të koordinuar perëndimor duke përhapur frikë dhe konfuzion. Në një moment, sugjeron raporti, shtetet evropiane do të duhet të pranojnë se janë kolektivisht nën sulm dhe të kundërpërgjigjen duke i imponuar Rusisë kosto më të mëdha dhe më të drejtpërdrejta. Në kushtet e riarmatosjes më të madhe evropiane që nga vitet 1930, distanca drejt një konflikti të hapur ushtarak Lindje–Perëndim bëhet gjithnjë e më e shkurtër.
Sa më e fortë të jetë kundërpërgjigjja perëndimore, aq më ekstrem mund të jetë reagimi i Putinit. Vendimi i tij fillestar për të rrezikuar një pushtim të plotë të Ukrainës nuk ishte racional. Që atëherë ai ka përdorur sulme masive këmbësorie me humbje të mëdha njerëzore, deportime të fëmijëve, krime të panumërta lufte ndaj civilëve, sulme të pamatura ndaj centraleve bërthamore dhe goditje me raketa balistike hipersonike. Këto nuk janë veprimet e një njeriu të ekuilibruar. Prandaj, kur ish-presidenti Dmitri Medvedev, zëdhënësi jozyrtar i Putinit, kërcënon Evropën me armë bërthamore, ky skenar i çmendur nuk mund të përjashtohet plotësisht.
Si përfundon e gjithë kjo? Ndoshta nuk përfundon. Kjo është pyetja e tretë e pakëndshme që lind nga fushata e dështuar e Putinit në Ukrainë. Ukraina dhe Evropa dëshirojnë me ngulm që gjithçka të marrë fund. Duke e ditur këtë, Putini mund të përpiqet ta ngrijë konfliktin përkohësisht, ndërsa riorganizon dhe riarmatos forcat e tij; ose mund të pranojë ofertën e Zelenskit për armëpushim pa pasur synimin e sinqertë për një zgjidhje të qëndrueshme.
Këtu qëndron rreziku i madh për Kievin. Presioni publik për të kthyer ushtarët në shtëpi dhe për të zhvilluar zgjedhje të reja mund të dëmtojë unitetin e brishtë ukrainas. Nëse kërcënimi rus duket se zbehet, qeveritë evropiane mund të pakësojnë mbështetjen ushtarake. Një armëpushim pa garanci të forta sigurie të dakorduara paraprakisht mund ta bëjë Ukrainën më të cenueshme, jo më të sigurt, ndaj një agresioni të ri.
Optimizmi aktual perëndimor mund të jetë i gabuar. Megjithatë, duhet kujtuar se shkaku kryesor i gjithë kësaj dhimbjeje dhe vuajtjeje është një njeri i vetëm – jo historia, gjeografia, identiteti apo ideologjia. Populli rus ka përgjegjësi ndaj Ukrainës, ndaj botës dhe ndaj vetes për ta larguar atë nga pushteti. Pa Putinin, gjithçka është e mundur. Me Putinin, lufta mund të vazhdojë pa fund.
Simon Tisdall është komentator i çështjeve ndërkombëtare në gazetën Guardian.
