Një ngjarje e rëndë që përfshin keqtrajtimin dhe vrasjen e një qeni femër endacak dhe këlyshëve të saj ka shkaktuar zemërim të madh në Kinë dhe ka hapur një debat të gjerë për mungesën e ligjeve që mbrojnë kafshët, sipas BBC.
Ngjarja nisi në fund të qershorit, kur në internet u publikua një video nga qyteti Jieyang, në provincën Guangdong të Kinës jugore.
Në pamje shiheshin katër djem nën moshën 14 vjeç duke goditur me shkopinj tre këlyshë qeni, më pas duke i vënë zjarrin nënës së tyre, e quajtur Wang Wang.
Ndërsa qeni digjej, djemtë shiheshin duke qeshur.
Videoja shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale kineze, me mijëra komente që shprehnin tronditje, zemërim dhe kërkesa për drejtësi.
Pse ndërhyri censura kineze?
Në Kinë, Partia Komuniste kontrollon mediet dhe internetin për të kufizuar kritikat dhe protestat publike.
Në këtë rast, autoritetet nuk e justifikuan ndërhyrjen me mbrojtjen e shtetit, por me faktin se personat e përfshirë ishin fëmijë.
Autoritetet u kërkuan qytetarëve të mos shpërndanin më informacion për ngjarjen; të mos identifikonin fëmijët dhe të shmangnin sulmet ndaj tyre në internet.
Sipas tyre, kjo bëhej për të “mbrojtur rritjen dhe zhvillimin e të miturve”.
Megjithatë, shumë qytetarë nuk u bindën dhe vazhduan të kërkonin vendosjen përballë drejtësisë të personave përgjegjës
Çfarë ndodhi me katër djemtë?
Autoritetet e qytetit Jieyang njoftuan se djemtë nuk do të përballen me akuza penale, sepse janë nën moshën e përgjegjësisë penale.
Ata thanë se do të dërgohen në një shkollë të specializuar për edukim dhe korrigjim të sjelljes, por nuk dhanë detaje të tjera.
Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Disa njerëz kërkuan që emrat dhe fytyrat e tyre të publikoheshin, ndërsa të tjerë paralajmëruan se kjo mund të çojë në identifikimin e gabuar të fëmijëve të tjerë dhe në dëmtimin e tyre.
Pse u bë kaq e madhe kjo çështje?
Një nga arsyet kryesore është se, Kina aktualisht nuk ka një ligj kombëtar që ndalon dhe dënon keqtrajtimin e kafshëve.
Shumë qytetarë kërkojnë, miratimin e një ligji për mbrojtjen e kafshëve; dënime më të ashpra për abuzimin me to dhe më shumë edukim për respektimin e jetës.
Shumë aktivistë thonë se rasti i qenit Wang Wang nuk është i izoluar, pasi në vitet e fundit janë raportuar edhe raste të tjera të dhunës ndaj kafshëve.
Aktivistët e çojnë protestën përtej Kinës
Pasi shumë postime u fshinë ose u kufizuan në internetin kinez, mbështetësit e mbrojtjes së kafshëve nisën një fushatë jashtë vendit.
Në “Times Square” të Nju Jorkut, një nga zonat më të frekuentuara në botë, u shfaqën imazhe të qenit Wang Wang në një ekran gjigant.
Mesazhi ishte:“Ajo ishte e dashur. Ajo donte të jetonte. Ajo duhet të ishte ende këtu”.
Në Tajvan, pranë rrokaqiellit të famshëm “Taipei 101”, u vendos një tjetër tabelë me foton e Wang Wang duke ushqyer këlyshët e saj.
Mesazhi ishte: “Edhe ky planet është shtëpia e tyre. Drejtësi për Wang Wang”.
Reagime edhe nga vendet e tjera
Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve me qendër në Itali tha se kishte marrë mbi 100 ankesa nga njerëz në mbarë botën që kërkonin ndërhyrje.
Aktivistë për mbrojten e kafshëve nga Hong Kongu dhe Makao kanë mbledhur fonde për postera në autobusë dhe trena.
Disa mbrojtës të të drejtave të kafshëve kanë përkthyer historinë në shumë gjuhë për ta shpërndarë rastin ndërkombëtarisht./mxh
