Last Updated on 07/09/2025 by adminfjala
Në orët e para të së dielës, 7 shtator, Rusia realizoi sulmin më të madh deri më tani prej nisjes së luftës në Ukrainë. Rreth 805 dronë u hodhën mbi Kiev. Mes tre viktimave edhe një foshnje, ndërkohë që janë regjistruar 18 të plagosur.
Për herë të parë që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës, rusët sulmuan edhe një nga ndërtesat kryesore të qeverisë në qendër të Kievit.
Në reagimin e tij të parë pas sulmeve ajrore të natës nga Rusia, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje aleatëve të vendit që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura në Paris, gjatë takimit të fundit të Koalicionit të të Gatshmëve.
Në një mesazh të publikuar në Telegram, Zelensky njofton se Ukraina është goditur nga më shumë se 800 dronë, si dhe 13 raketa, katër prej të cilave raketa balistike.
Zelensky shkruan: Vrasje të tilla, tani që diplomacia reale mund të kishte nisur prej kohësh, janë krime të qëllimshme dhe zgjatje e luftës.
Zelensky i referohet takimit të zhvilluar këtë javë në Paris, ku përfaqësues të disa vendeve diskutuan për garanci të reja sigurie për Ukrainën, përfshirë idenë e vendosjes së një “forcë sigurie” pas një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë.
Presidenti ukrainas thekson se vetëm presioni ndërkombëtar mund t’i japë fund agresionit rus.
“Bota mund t’i detyrojë kriminelët e Kremlinit të ndalojnë vrasjet. Gjithçka që duhet është vullneti politik.”
Kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko, e cilësoi këtë si një tjetër akt terrori të përditshëm ndaj popullit ukrainas. Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë punuar për disa orë për të shuar flakët.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se ndërtesa ndodhet në distriktin qendror Pecherskyi të kryeqytetit ukrainas.
Përveç ndërtesës së qeverisë, janë goditur edhe një magazinë, një ndërtesë banimi 16-katëshe dhe një tjetër godinë 4-katëshe në zona të tjera të kryeqytetit ukrainas.
