Last Updated on 30/09/2026 by EL
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi për Euronews se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të aleancës, duke minimizuar edhe paralajmërimet e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore në lidhje me Kaliningradin.
Duke folur në Samitin e Euronews për Mbrojtjen dhe Hapësirën në Bruksel, Rutte tha se NATO është e përgatitur për çdo skenar dhe se do të mbrojë çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare.
“Ne jemi përgatitur për këtë, kemi planifikuar për këtë dhe kjo vlen për të gjithë NATO-n. Ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Ky kërcënim nuk ekziston dhe, nëse ndodh diçka, ne jemi gati ta kundërshtojmë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Rutte vijnë pas raportimeve se Rusia i ka dërguar NATO-s një letër paralajmëruese lidhur me çdo përpjekje për të izoluar enklavën ruse të Kaliningradit nga pjesa tjetër e territorit të Rusisë. Moska thuhet se ka paralajmëruar se do të ishte e gatshme të përdorte të gjithë arsenalin e saj, përfshirë armët bërthamore.
Rutte nuk konfirmoi përmbajtjen e letrës, duke thënë se i takon Rusisë ta bëjë publike. Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë se paralajmërimet përbëjnë një kërcënim konkret bërthamor apo sinjal për përshkallëzim ndaj vendeve baltike.
“Ne jemi një aleancë mbrojtëse. Duhet të ndalen kërcënimet bërthamore. Kjo nuk është aspak e nevojshme dhe nuk ndihmon. Dhe veçanërisht duhet të ndalet lufta në Ukrainë, e cila është një luftë agresioni e paprovokuar kundër Ukrainës”, tha kreu i NATO-s.
Sipas Rutte, presidenti rus Vladimir Putin nuk mund ta fitojë një përballje me NATO-n. “Unë nuk e marr këtë seriozisht. Por sigurisht që duhet të përgjigjemi dhe të bëjmë të qartë se NATO është një aleancë mbrojtëse”, deklaroi ai.
Rutte tha gjithashtu se Rusia po humbet rreth 43 mijë trupa të vrarë ose të plagosur rëndë çdo muaj në frontin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, situata për Kievin është përmirësuar krahasuar me një vit më parë dhe aleatët vijojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake.
Ai argumentoi se NATO duhet të ruajë qetësinë, të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën dhe të rrisë investimet në mbrojtje.
“E gjithë kjo po ndodh sepse lufta nuk po shkon mirë për të në Ukrainë. Ai dëshiron të na përçajë. Dëshiron që të humbasim vëmendjen kur bëhet fjalë për Ukrainën”, tha Rutte.
