Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi gjatë vizitës në Berlin se Aleanca mbetet e bashkuar përballë kërcënimit rus dhe se përpjekjet e Moskës për të përçarë vendet anëtare nuk do të kenë sukses.
Pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, Rutte shprehu mbështetjen e NATO-s për Gjermaninë pas asaj që ai e cilësoi si një sulm hibrid rus në Leipzig.
“Rusia kërkon të na përçajë, por ne jemi të bashkuar. Rusia kërkon të na pengojë të ndihmojmë Ukrainën, por ne do të bëjmë edhe më shumë për Ukrainën. Rusia kërkon të tregojë forcë, por ne jemi më të fortë”, deklaroi Rutte.
Ai vlerësoi reagimin e autoriteteve gjermane ndaj incidentit në Leipzig, duke theksuar se aleatët e NATO-s kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për Berlinin.
Sipas Rutte, NATO po forcon kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje. Në këtë kuadër, vendet anëtare po shtojnë presionin ndaj Rusisë, ndër të tjera përmes masave kundër të ashtuquajturës “flota në hije”, si dhe përmes forcimit të mbrojtjes së infrastrukturës kritike.
Një prej masave të ndërmarra është edhe rritja e pranisë së forcave aleate në Detin Baltik.
Duke folur për luftën në Ukrainë, kreu i NATO-s e cilësoi Gjermaninë si një nga mbështetëset kryesore të Kievit dhe falënderoi ministrin Wadephul për angazhimin e tij në forcimin e mbështetjes për Ukrainën.
Rutte përshëndeti gjithashtu planin e Berlinit për të rritur shpenzimet bazë për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029. Ai theksoi se industria gjermane e mbrojtjes, nga kompanitë e mëdha te startup-et inovative, po zgjeron kapacitetet prodhuese dhe po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së NATO-s.
Në përfundim, Rutte nënvizoi se Aleanca do të vijojë të përshtatet dhe të forcojë kapacitetet e saj për të garantuar sigurinë e rreth një miliard qytetarëve të vendeve anëtare. Ai vlerësoi rolin udhëheqës të Gjermanisë brenda NATO-s dhe kontributin e saj të rëndësishëm në mbështetje të Ukrainës./mxh
