A favorizojnë mediat sociale partitë e djathta? Jo, thotë Andreas Jungherr, profesor i Shkencave Politike dhe Transformimit Digjital në Universitetin Otto-Friedrich në Bamberg. “AfD-ja ka shumë kohë që është aktive në mediat sociale.” Ajo ka mësuar se cila qasje funksionon atje.
Ky është një avantazh i qartë për sa i përket diapazonit të shikueshmërisë – por vetëm kjo nuk garanton suksesin zgjedhor, thotë Jungherr. Kjo duket qartë në fushatën e kandidates për president të SHBA-së, Kamala Harris, e cila pati sukses të madh në rrjetet sociale. Por siç e dimë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë atë në Shtëpinë e Bardhë.
Ç’ndikim kanë mediat sociale tek vlerat dhe bindjet?
Të ashtuquajturat “flluska të filtruara” lindin në hapësirën online, sepse rezultatet e kërkimit ose përmbajtja janë të personalizuara. Algoritmet e ofruesve të shërbimeve online përcaktojnë ato që na shfaqen në internet. Në mediat sociale një algoritëm u jep përparësi përmbajtjeve të personaliteteve të njohura ose përmbajtjeve që kanë pëlqyer ose komentuar shumë përdorues të tjerë. Nga ana tjetër algoritimi mund të mos shfaqë më fare përmbajtje të caktuara, nëse ato janë injoruar shpesh.
Kjo krijon një perspektivë të njëanshme: botëkuptimi që ka dikush forcohet, ndërsa mendimet apo qëdnrimet e të tjerëve injorohen. Mbi të gjitha përmbajtje të tilla përforcojnë vlerat dhe bindjet që dikush i ka ndërkohë.
Kjo është arsyeja pse mediat e të gjitha llojeve kanë vetëm një ndikim shumë të vogël në vendimet e votuesve, thotë Judith Möller, profesore për shkencat e komunikimit në Institutin e Leibniz për Kërkimin e Medias. Ajo studion efektet e mediave sociale dhe thotë “Vendimi i votuesve lidhet me shumë shkaqe të ndryshme. Varet se ku dhe si je rritur, çfarë përvojash personale ke pasur – veçanërisht në javët e fundit para zgjedhjeve – ose me kë tjetër flet për zgjedhjet dhe politikën.” Sipas Möller, të njëjtët faktorë ndikojnë edhe se cilat media përdorim dhe çfarë efekti kanë ato.
Lëvizjet politike dhe partitë e reja mund të bëhen shpejt të dukshme në mediat sociale. Por në thelb në rrjetet sociale ato arrijnë ndjekësit tyre – dhe ndoshta disa njerëz të pavendosur. “Njerëzit është e vështirë që t’i bindësh për diçka të re. Përmes mediave mund të bindësh vetëm ata që tashmë janë të bindur për diçka.” m.p.
