Ish-nënkryetari dhe ish-deputeti i PD-së Edmond Spaho ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike lidhur me qëndrimet e përfaqësuesve dhe anëtarëve të saj për protestën në Tiranë.
Spaho shprehet se PD e ka humbur besimin e shqiptarëve, ndërsa shton se pa parime dhe pa turp “të zezës i thoni e bardhë dhe të bardhës e zezë”.
Ai shkruan më tej se kjo forcë politike e ka mbyllur misionin e saj, sipas tij, vetëm për arsyen se ka braktisur interesat e qytetarëve dhe është kthyer në barrikadë e interesave të familjes.
Postimi i plotë:
A ka turp kjo forcë politike?
Si mund të jesh kaq e pamoralshme dhe e pafytyrë?
Në mëngjes deklarohet kundër protestës dhe pro investimit në Zvërnec.
Në drekë deklarohet pro protestës dhe kundër investimit në Zvërnec.
Ndjen erën e kërmës dhe vrapon për copën e radhës.
Karrigia e pushtetit vlen mbi çdo gjë. Vërtet do ju pranojnë në protestë?
E keni humbur besimin e shqiptarëve dhe jeni katandisur si karavidhe.
Pa parime, pa turp, as skuqeni e as zverdheni, të zezës i thoni e bardhë dhe të bardhës e zezë.
A keni kokë, a keni logjikë, a keni mendje për të menduar, e aftë t’ju ndalojë për të mos u turpëruar dhe diskredituar kaq shumë?
Kur flisni marrëzira, a mendoni për sakrificat 35-vjeçare të qindra mijëra demokratëve, të cilët ju kanë besuar juve?
Kjo forcë politike e mbylli misionin e saj, sepse prej kohësh ka braktisur interesat e qytetarëve dhe është kthyer në barrikadë e interesave të familjes.
Koha, historia dhe njerëzit po ju hedhin në kosh të plehrave, duke ju zëruar edhe ato të mira që i keni bërë vendit që nga themelimi i PD.
Sa keq! Sa turp!/mxh
