Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Pekin, ku ka qëndruar në selinë e gjigantit kinez të teknologjisë Xiaomi, në ditën e parë të vizitës së tij të katërt në Kinë brenda katër viteve.
Gjatë vizitës, Sánchez u shoqërua nga drejtori ekzekutiv i Xiaomi-t, Lei Jun, i cili i prezantoi kryeministrit spanjoll risitë më të fundit të kompanisë, përfshirë automjetet elektrike, telefonat inteligjentë dhe syzet smart. Në një moment të vizitës, Sánchez u pa duke bërë edhe një selfie me Lei Jun, duke përdorur një nga telefonat më të rinj të kompanisë.
Spanja është një nga vendet evropiane që ka mbështetur më fort zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën, duke e konsideruar atë më shumë si një partner strategjik sesa si rival ekonomik dhe gjeopolitik, siç e ka cilësuar më herët ish-presidenti amerikan Donald Trump.
Vizita e përsëritur e Sánchez vlerësohet si një sinjal i qartë i përpjekjeve të Madridit për të ruajtur një qasje të pavarur në politikën e jashtme, pavarësisht presioneve të mundshme nga SHBA dhe debatet brenda NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes.
Kryeministri spanjoll pritet të takohet edhe me presidentin kinez Xi Jinping, ku në fokus të bisedimeve do të jenë çështjet gjeopolitike dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve./mxh
