Sandra Bullock ka folur hapur për humbjen e partnerit të saj prej shumë vitesh, Bryan Randall, i cili ndërroi jetë në gusht 2023 pas një beteje trevjeçare me sklerozën laterale amiotrofike (SLA).
Aktorja 62-vjeçare foli për këtë periudhë të vështirë në një episod të ri të podcastit “SmartLess”, ku tregoi se Randall kishte kërkuar që diagnoza e tij të mbahej private.
“Ai më kërkoi të mos e ndaja me të tjerët”, tha Bullock. “Nuk më lejohej të flisja për të. Kjo ishte kërkesa e tij dhe unë u përpoqa ta respektoja.”
Ajo shpjegoi se e kuptonte arsyen e kërkesës së tij, por kjo e bëri situatën edhe më të izoluar për të, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.
“E izoloi edhe më shumë procesin për mua”, tha ajo, duke iu referuar peshës së madhe që mbante mbi vete ndërsa përballej me diagnozën e partnerit.
Bullock tregoi se, në njëfarë mënyre, kishte nisur të vajtonte për Randall shumë kohë para se ai të ndërronte jetë.
“Fillova të vajtoja Bryan-in katër vjet para se të vdiste”, tha ajo. “Ai ishte i sëmurë për gjysmën e marrëdhënies sonë.”
Aktorja shtoi se ndiente sikur “njeriu im u largua shumë më herët se trupi i tij”. Sipas saj, ajo nuk pati mundësi ta përpunonte plotësisht këtë dhimbje deri pas vdekjes së tij, sepse gjatë sëmundjes ishte e përqendruar te kujdesi dhe te gjithçka që duhej të bënte.
Bullock dhe Randall rritën bashkë djalin e saj, Louis, vajzën Laila dhe vajzën e Randall nga një lidhje e mëparshme, Skylar Staten Randall.
Duke kujtuar sëmundjen e partnerit, Bullock e përshkroi SLA-në si një proces të gjatë eliminimi, gjatë të cilit mjekët kryejnë vazhdimisht teste dhe vlerësojnë përparimin e simptomave.
“Duhet të planifikosh në heshtje”, tha ajo, duke shtuar se ishte mësuar të përballej me sëmundjet për shkak të historisë shëndetësore të prindërve të saj.
Aktorja tha se sëmundja në vetvete nuk e trembte, por shqetësimi më i madh ishin dy fëmijët e saj, të cilët po përballeshin gjithashtu me situatën, veçanërisht vajza e saj e vogël, që e shihte Randall-in si figurë atërore.
Për një kohë të gjatë, i vetmi person që dinte për diagnozën e Randall ishte motra e Bullock, Gesine Bullock-Prado. Më vonë, aktorja vendosi t’u tregonte disa prej miqve të saj më të afërt, mes tyre Jennifer Aniston dhe Amanda Anka, bashkëshortja e Jason Bateman.
Bullock tregoi se situata u bë edhe më e rëndë kur sëmundja fizike u shoqërua me probleme të shëndetit mendor.
“Kur sëmundja fizike u bashkua me aspektin e shëndetit mendor, ishte një treshe që u bë shumë e errët”, tha ajo.
Pas vdekjes së Randall në gusht 2023, familja e tij konfirmoi se ai kishte ndërruar jetë “në paqe” pas një beteje trevjeçare me SLA-në. Në atë kohë, familja shpjegoi se Randall kishte zgjedhur që në fillim ta mbante private betejën e tij me sëmundjen dhe se njerëzit që kujdeseshin për të kishin respektuar dëshirën e tij.
Randall, i cili kishte punuar fillimisht si model dhe më pas si fotograf, u njoh me Bullock në vitin 2015. Marrëdhënia e tyre u bë më publike më vonë atë vit, kur ata morën pjesë së bashku në dasmën e Jennifer Aniston dhe Justin Theroux.
Pas vdekjes së Randall, Bullock u tërhoq për një periudhë për t’u kujdesur për veten dhe fëmijët e saj. Një burim i afërt me aktoren kishte treguar më herët se ajo kaloi shumë kohë në shtëpi, duke u përqendruar te shërimi dhe familja, përpara se të rikthehej në punë.
Bullock do të rikthehet së shpejti në kinema me filmin Practical Magic 2, ku luan përkrah Nicole Kidman dhe aktorëve të tjerë të kastit./mxh
