Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, sulmoi ashpër gjeneralët, admiralët dhe ushtarët që nuk i plotësojnë standardet. Gjatë një takimi të posaçëm në bazën Quantico në Virxhinia ai deklaroi se nuk dëshiron më të shohë oficerë mbipeshë në korridoret e Pentagonit dhe se që tani e tutje të gjithë anëtarët e shërbimit duhet të përmbushin kritere të rrepta, atë të gjatësisë dhe peshës.
Hegseth, i cili e ka bërë palestrën një shtyllë qendrore të disiplinës ushtarake gjatë mandatit të tij, tha se “gjithçka fillon me imazhin dhe qëndrueshmërinë”.
Ai madje përmendi shembullin e tij, duke thënë se merr pjesë rregullisht në programe të vështira fitnesi: “Nëse Sekretari i Mbrojtjes mund të bëjë stërvitje të përditshme të vështirë, atëherë edhe çdo anëtar i forcës sonë të përbashkët mund ta bëjë këtë.”
Sipas udhëzimeve të reja që ai njoftoi, të gjithë pjesëtarët e Forcave të Armatosura do të duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të gjatësisë dhe peshës dy herë në vit. Përveç kësaj, ata që shërbejnë në njësi luftarake do të duhet të përmbushin “ekskluzivisht standardin e sipërm mashkullor” të aftësisë fizike, duke arritur një rezultat prej më shumë se 70% në testet e aftësisë fizike të secilës degë.
“Nuk dua që djali im të shërbejë përkrah ushtarëve që nuk janë në formë, ose në një njësi me gra që nuk përmbushin të njëjtat standarde të aftësisë fizike si burrat, ose nën një udhëheqës që ishte i pari, por jo më i miri”, tha ai.
Në këtë kontekst, ai iu referua edhe elementëve të tjerë të pamjes së atyre që shërbejnë në Korpus, duke thënë: “Mjaft me mjekra, flokë të gjatë. Do t’i presim flokët, do t’i rruajmë mjekrat dhe do t’i përmbahemi standardeve”, duke shtuar se nëse dikush dëshiron të ketë mjekër, atëherë “le t’u bashkohet forcave speciale”.
“Nuk kemi një ushtri plot me paganë nordikë, por për fat të keq, kemi pasur udhëheqës që ose refuzuan ta quanin marrëzinë marrëzi dhe të zbatonin standardet, ose udhëheqës që menduan se nuk u lejohej të zbatonin standardet”, vazhdoi ai, duke shtuar se nëse dikush nuk mund t’i përmbushë standardet fizike për luftim, nuk mund t’i kalojë testet fizike ose nuk dëshiron t’i përputhet standardeve të mirëmbajtjes, “është koha për një pozicion të ri ose një profesion të ri”.
Fundi i “korrektësisë politike”:
Hegseth ka kritikuar hapur atë që ai e quajti “ideologji toksike dhe drejtësi sociale” në ushtri, duke argumentuar se administrata aktuale ka çmontuar programet e diversitetit, demonstrimet e identitetit gjinor dhe politikat klimatike.
“Nuk mund të kalojmë asnjë ditë pa e trajtuar problemin brenda vetes. Siç e kam thënë edhe më parë, kemi mbaruar me këtë marrëzi”, tha ai.
Gjatë fjalimit, në të cilin morën pjesë qindra oficerë të lartë, Hegseth tha se “epoka e korrektësisë politike dhe lidershipit që ka frikë të lëndojë ndjenjat ka mbaruar”. “Ose i plotëson standardet, ose mund ta bësh punën, ose je i disiplinuar dhe në formë, ose je jashtë loje”, tha ai.
“Mjaft me djem me fustane. Mjaft me adhurimin e ndryshimeve klimatike, mjaft me përçarje, mjaft me ndarje apo iluzione gjinore. Mjaft me… Mbaruam me këtë mut”, shtoi sekretari i Mbrojtjtes. m.p.
