Dita e Verës nuk mund të mendohet pa ballokumet e famshme të traditës së Elbasanit, vendi i cili tashmë është kthyer në kryeqytetin e kësaj feste.
Në këtë ditë të bukur, e cila simbolizon rilindjen, gjallërimin, ikjen e dimrit dhe ardhjen e verës, tradita mbetet një nga vlerat thelbësore për t’u përcjell tek brezat, tek të rinjtë. Ky ka qenë edhe fokusi i deputetes së Elbasanit Sara Mila, e cila në këtë ditë ka bashkuar traditën, trashëgiminë e së shkuarës dhe të ardhmen në një moment të bukur e festiv. Gjyshe dhe zonja në moshë të zonave ruarale që ajo përfaqëson, së bashku me vajza të reja dhe personazhe të njohur janë angazhuar në gatimin e ballokumes, duke sjellë secila prej tyre, veçantinë e zonave në ditën e verës dhe përbërësit sekret të gatimit të ballokumes.
Deputetja Mila, theksoi se qëllimi i këtij momenti dhe aktiviteti është ruajtja e traditave dhe përcjellje e tyre tek brezat e rinj. Kjo festë nuk është vetëm një traditë kulinare, por edhe një mënyrë për të forcuar lidhjet mes njerëzve dhe për të ndarë histori që i japin kuptim kulturës dhe identitetit tonë.
“Kjo traditë është mbi të gjitha për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të ndarë histori. 14 marsi tjetër do t’ju gjejë duke bërë ballokume tradicionale në shtëpitë tuaja,” u shpreh ajo, duke ndarë edhe një histori mbi origjinën e emrit “ballokume”, që sipas gojëdhënave vjen nga shprehja e hershme “u ba si llokume”, e cila me kalimin e viteve u shndërrua në emrin që njohim sot.
Por cili është sekreti që i bën kaq të veçanta ballokumet e Elbasanit?
Sipas zonjave dhe gjysheve që e ruajnë këtë traditë prej brezash, gjithçka qëndron te cilësia e përbërësve, masat e sakta dhe përkushtimi në përgatitje.
“Gjyshja ime thoshte se sekreti i vërtetë është dashuria. Sa më shumë dashuri t’i japësh ballokumes, aq më i mbarë do të jetë i gjithë viti dhe vera që vjen”, tha Sara, ndërkohë që u bë edhe vet pjesë e gatimit të ëmbëlsirës së famshme, pa të cilën nuk mund të festohet Dita e Verës.
