Last Updated on 12/11/2026 by EL
Netflix do të publikojë më 13 nëntor dokumentarin e ri “Russell Brand: Open Secret”, i cili trajton karrierën dhe jetën e komedianit dhe aktorit britanik, të shpallur fajtor për përdhunim dhe tre raste të sulmit seksual. Brand u dënua më 9 nëntor me 10 vite e gjashtë muaj burg. Dokumentari, i realizuar nga producentët e “Jimmy Savile: A British Horror Story”, ndjek rrugëtimin e tij nga komedian dhe yll filmash në aktivist politik dhe YouTuber të njohur për teoritë konspirative, deri te procesi gjyqësor që tronditi opinionin publik. Ai do të përmbajë dëshmi nga persona të afërt, materiale arkivore dhe të dhëna mbi hetimin e zhvilluar nga gazeta The Times.
Njoftimi për dokumentarin vjen mes kritikave ndaj Netflix, pasi platforma vendosi të mos e hiqte nga katalogu specialin e humorit të Brand, “Re:Birth”, megjithëse konfirmoi se e kishte fshehur nga abonentët. Publikimi i dokumentarit ka shkaktuar reagime të përziera në rrjetet sociale, ku disa përdorues e kanë akuzuar platformën se po përpiqet të përfitojë nga skandali. Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari deklaroi se fama e Brand kishte shërbyer si mburojë për të deri në publikimin e investigimeve në vitin 2023 nga Channel 4, The Times dhe The Sunday Times, duke theksuar se çdo grua ka të drejtën të refuzojë dhe të kërkojë drejtësi kur veprohet pa pëlqimin e saj.
Ndërkohë, Policia Metropolitane po heton edhe dy akuza të tjera për përdhunim ndaj Brand, përfshirë një rast që lidhet me një vajzë 16-vjeçare, ndërsa prokuroria po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave. Pas dënimit, Brand reagoi edhe përmes rrjetit social X, ku njoftoi se Meta i kishte mbyllur llogarinë në Instagram, duke shkruar me ironi: “Nuk ka ekzistuar kurrë një Russell Brand, sipas Metës. Faleminderit Zotit për Elon Musk”.
