Selena Gomez ka shitur vilën e saj luksoze në Los Anxhelos për 5.4 milionë dollarë, duke pranuar një shumë më të ulët se çmimi me të cilin e kishte nxjerrë fillimisht në treg.
Këngëtarja 34-vjeçare e kishte listuar pronën në muajin maj për 6.49 milionë dollarë, por pas negociatave shitja u finalizua për 5.4 milionë dollarë. Gomez e kishte blerë vilën në vitin 2020 për 4.89 milionë dollarë.
Rezidenca shtrihet në rreth 1,070 metra katrorë dhe përfshin gjashtë dhoma gjumi dhe dhjetë banja. Prona ka gjithashtu një kuzhinë profesionale, bodrum vere, palestër, studio regjistrimi dhe ambiente të dedikuara për argëtim dhe relaks.
Një tjetër detaj që i shton interes historisë së kësaj prone është fakti se ajo ka qenë më parë në pronësi të legjendës së muzikës rok, Tom Petty. Ai e shiti vilën në vitin 2017.
Rezidenca ka qenë gjithashtu pjesë e jetës profesionale të Selena Gomez. Në këtë shtëpi u xhirua emisioni i saj i gatimit, “Selena + Chef”, ndërsa aty janë realizuar edhe disa video tutoriale për kompaninë e saj të kozmetikës.
Shitja vjen pas një tjetër investimi të madh në pasuri të paluajtshme, ndërsa tashmë çifti zotëron një nga pronat më të kushtueshme në Beverly Hills. Në dhjetor 2024, Selena Gomez dhe bashkëshorti i saj, Benny Blanco, blenë një vilë në Beverly Hills për 35 milionë dollarë.
Selena Gomez dhe Benny Blanco e konfirmuan lidhjen e tyre në fund të vitit 2023 dhe u martuan në vitin 2025, pas një periudhe lidhjeje që e mbajtën kryesisht larg vëmendjes së publikut. Aktualisht, Selena Gomez dhe Benny Blanco vijojnë martesën e tyre duke shfaqur herë pas here momente nga jeta e tyre së bashku./mxh
