Rritja e rasteve të të ashtuquajturës “sëmundje e shiut” po tërheq vëmendjen e autoriteteve shëndetësore në Evropë, sipas medias italiane “Tgcom24”.
Bëhet fjalë për dermatofilozën, një infeksion të lëkurës të shkaktuar nga bakteri “Dermatophilus congolensis”, i cili deri tani është lidhur kryesisht me kafshët dhe konsiderohet i rrallë te njerëzit.
Në qendër të vëmendjes është veçanërisht mundësia që bakteri të jetë duke u transmetuar në një mënyrë të re, nga personi te personi përmes kontaktit shumë të afërt fizik.
“Dermatophilus congolensis” është një bakter i njohur kryesisht në mjekësinë veterinare dhe prek më së shumti bagëtitë.
Megjithatë, ai mund të shkaktojë infeksione edhe te kuajt, delet dhe kafshë të tjera shtëpiake apo të egra.
Te njerëzit, dermatofilozë është konsideruar për një kohë të gjatë një sëmundje e rrallë.
Megjithatë, për shkak të rasteve të raportuara së fundmi në Evropë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) po e monitoron më nga afër aktivitetin e këtij patogjeni.
Sipas autoriteteve, ekziston mundësia që të ketë ndryshuar mënyra e transmetimit të infeksionit.
Kontakti i ngushtë lëkurë më lëkurë mes njerëzve konsiderohet një nga rrugët më të mundshme të transmetimit, ndërsa nuk përjashtohet as përhapja indirekte, përmes sipërfaqeve dhe objekteve të kontaminuara.
Tradicionalisht, infeksionet te njerëzit nga “Dermatophilus congolensis” janë lidhur kryesisht me kontaktin me kafshë të infektuara ose me materiale të kontaminuara.
Në rastet e vërejtura së fundmi në Evropë, është evidentuar më qartë mundësia e transmetimit nga personi në person përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të lëkurës, përfshirë edhe kontaktin gjatë marrëdhënieve seksuale.
Raste janë raportuar gjithashtu te persona që merren me sporte me kontakt të fortë fizik, si artet marciale.
Disa episode janë lidhur edhe me qëndrimin në mjedise të ngrohta dhe me lagështi të lartë, përfshirë saunat.
Dermatofiloza shkakton kryesisht probleme të lëkurës dhe është veçanërisht e njohur te kafshët.
Rritja e rasteve te njerëzit në Evropë ka bërë që ekspertët të kërkojnë të kuptojnë më mirë mënyrën e transmetimit dhe faktorët, që mund të kenë favorizuar përhapjen e saj. /mxh
