Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të Samitit të Tetëshes së Karpateve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Zelensky shprehet se e vlerëson pjesëmarrjen e Serbisë në këtë format dhe thekson rëndësinë e krijimit të mundësive ekonomike dhe të sigurisë për vendet e rajonit.
“U takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Samitin e Tetëshes së Karpateve. Jam mirënjohës që Serbia i është bashkuar këtij formati”, shkruan Zelensky.
Sipas tij, gjatë takimit me Vuçiçin u diskutuan edhe marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së tij në Beograd.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua integrimit evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si edhe situatës së krijuar nga sulmet ruse ndaj Ukrainës.
“Diskutuam në detaje integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë dhe situatën me sulmet ruse. Do të vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, deklaron presidenti ukrainas.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu se gjatë ditës do të marrë pjesë, së bashku me liderët e tjerë, në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë në rajon.
Statusi i plot i Zelenskyt:
U takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Samitin e Tetëshes së Karpateve. Jam mirënjohës që Serbia i është bashkuar këtij formati.
Është e rëndësishme ta zhvillojmë atë në një mënyrë që t’i mundësojë çdo vendi të rajonit të gjejë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i nevojiten. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë dhe sot, së bashku me liderët e tjerë, do të marr pjesë gjithashtu në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve.
Me zotin President diskutova marrëveshjet e arritura gjatë vizitës sime në Beograd. Folëm në detaje për integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si dhe për situatën lidhur me sulmet ruse.
Do të vazhdojmë dialogun tonë dypalësh.
