Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar incidentin e ndodhur gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane është përballur me agresion verbal, stigmatizime dhe goditje me vezë nga protestues.
Në një deklaratë të publikuar më 5 tetor, UGSH e cilëson agresionin ndaj gazetarëve, qoftë nga individë apo turma protestuesish, si të dënueshëm dhe si një akt kundër lirisë dhe mendimit ndryshe.
Sipas Unionit, pamjet e incidentit dëshmojnë një situatë shqetësuese për sigurinë e gazetarëve gjatë protestave, veçanërisht ndaj atyre që shprehin publikisht pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre.
“Agresioni ndaj gazetarëve nga individë apo turmë protestuesish kurdoherë është i dënueshëm dhe akt anti lirisë dhe mendimit ndryshe”, thuhet në deklaratë.
UGSH thekson se sulmet ndaj gazetarëve në turma janë të papranueshme dhe kërkon nga autoritetet policore që të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave.
“Ato dëshmojnë problem serioz të sigurisë së gazetarit në protesta dhe të trajtimit të tyre nga protestuesit”, thuhet më tej.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon gjithashtu që autorët e agresionit ndaj Bledi Manes të vihen përpara përgjegjësisë, duke theksuar se sjellje të tilla ndaj integritetit fizik të qytetarëve dhe gazetarëve dënohen me ligj.
Deklarta e plotë:
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Agresioni ndaj gazetarëve nga individë apo turmë protestuesish kurdoherë është i dënueshëm dhe akt anti lirisë dhe mendimit ndryshe
Tiranë më 5 Tetor 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon agresionin verbal, sulmet me sende të forta dhe vezë si dhe stigmatizimet në turmë, ndaj gazetarit Bledi Mane ditën e sotme, nga një numër i vogël protestuesish në rrugë të Tiranës.
Imazhe dhe sekuenca të tilla, janë dëshmi e një agresioni jo vetëm verbal ndaj gazetarëve që ndajnë pikëpamje dhe mendim ndryshe.
Sulme të tilla në turmë, ndaj zërave që shprehen sipas pikëpamjeve personale dhe që shpesh ndajnë edhe qëndrime të angazhuara, janë të papranueshme. Ato dëshmojnë problem serioz të sigurisë së gazetarit në protesta dhe të trajtimit të tyre nga protestuesit.
UGSH kërkon nga autoritetet policore të jenë në lartësinë e detyrës për garantimin e kësaj sigurie për gazetarët dhe punonjësit e mediave.
Sjellje dhe agresione të tilla protestuesish ndaj integritetit fizik të qytetarit dhe gazetarit, dënohen me ligj.
UGSH kërkon vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtij agresioni dhe apelon për distancim të çdokujt që përballet me gazetarët në detyrë, kudo dhe kurdoherë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë/ad
