Edhe pas përfundimit të luftës me Rusinë, Ukraina pritet të ketë një nga ushtritë më të mëdha dhe më me përvojë në Evropë, duke u parë nga shumë vende evropiane si një fortesë kyçe kundër ambicieve të Moskës. Megjithatë, mirëmbajtja e një force kaq të madhe ushtarake pritet të jetë një nga sfidat më të vështira për Kievin në periudhën e pasluftës. Sipas një analize të Wall Street Journal, qeveria ukrainase do të përballet me vështirësi serioze financiare dhe logjistike për të mbajtur rreth 800,000 trupa aktive, si dhe sasi të mëdha pajisjesh ushtarake. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë njoftuar së fundmi një hua prej rreth 90 miliardë eurosh për Ukrainën, me synimin për të përballuar krizën ekonomike dhe për të mbështetur vazhdimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Në rast të një marrëveshjeje paqeje, shumë nga ushtarët e mobilizuar në vijën e frontit pritet të kërkojnë demobilizimin, ndërkohë që mungesa e fondeve e bën të vështirë pagesën e tyre. Analistët e mbrojtjes vlerësojnë se Ukraina mund të mbështetet më shumë në forcat rezervë dhe në sisteme më të lira, si dronët dhe minat, në vend të strukturave tradicionale të shtrenjta.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina duhet të ruajë një forcë aktive prej 800,000 ushtarësh, duke refuzuar kërkesat ruse për ta ulur këtë numër në 600,000. Ky qëndrim është mbështetur së fundmi edhe nga liderë evropianë, të cilët janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë financiarisht.
Megjithatë, kostoja e një ushtrie të tillë mbetet jashtëzakonisht e lartë. Aktualisht, Ukraina shpenzon rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, ndërsa Rusia shpenzon rreth 7.3% të PBB-së së saj. Sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, aleatët perëndimorë kanë dhënë rreth 350 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe civile për Ukrainën që nga fillimi i luftës, por financimi nga SHBA-ja është ndalur dhe vendet evropiane mund të tregohen më të kujdesshme në të ardhmen./kb
