Reuters- Shtetet e Bashkuara dhe Irani morën kornizën e një plani për t’i dhënë fund armiqësive, por Irani refuzoi rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, pasi Presidenti Donald Trump kërcënoi se do të sillte “ferrin” mbi Teheranin nëse nuk arrinte një marrëveshje deri në fund të së martës.
Plani i paqes përfshin një qasje dy-nivelesh me një armëpushim të menjëhershëm të ndjekur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të finalizohet brenda 15-20 ditësh, tha të hënën një burim për Reuters.
Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Feldmarshal Asim Munir, ka qenë në kontakt me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance, të dërguarin special Steve Ëitkoff dhe ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi,
“Irani nuk do ta rihapë Ngushticën si pjesë të një armëpushimi të përkohshëm”, tha një zyrtar i lartë iranian për Reuters, duke shtuar se Irani nuk do të pranojë afate ndërsa shqyrton propozimin.
“Uashingtonit i mungon gatishmëria për një armëpushim të përhershëm”, tha zyrtari.
Axios raportoi për herë të parë të dielën se SHBA-të, Irani dhe ndërmjetësit rajonalë po diskutonin një armëpushim të mundshëm 45-ditor si pjesë e një marrëveshjeje dyfazore që mund të çojë në një fund të përhershëm të luftës, duke cituar burime amerikane, izraelite dhe rajonale.
TRUMP: MARRËVESHJA DUHET TË ARRITET DERI TË MARTËN
Në një postim me tone të ashpra në platformën e tij Truth Social të dielën, Trump kërcënoi me sulme të mëtejshme ndaj infrastrukturës iraniane të energjisë dhe transportit nëse Irani nuk arrinte të bënte një marrëveshje dhe të rihapte Ngushticën deri të martën.
Më vonë të dielën, presidenti në një postim pasues dha një afat më të saktë: “E martë, ora 8:00 pasdite sipas Orës Lindore! (E mërkurë 00:00 GMT)”
Sulme të reja ajrore u raportuan në të gjithë rajonin të hënën, më shumë se pesë javë që kur SHBA-të dhe Izraeli filluan të godisnin Iranin në një luftë që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka dëmtuar ekonomitë duke rritur çmimet e naftës.
Irani iu përgjigj sulmeve duke mbyllur në mënyrë efektive kanalin ujor të Hormuzit, një kanal për rreth një të pestën e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror, dhe duke sulmuar Izraelin, bazat ushtarake amerikane dhe infrastrukturën energjetike përreth Gjirit./kb
