Last Updated on 27/10/2026 by EL
Forcat amerikane kanë goditur një motoskaf të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor lindor, duke vrarë pesë persona që ndodheshin në bord.
Lajmi u bë i ditur nga Komanda e SHBA-së për Amerikën Latine dhe Karaibet (SOUTHCOM).
Sipas një deklarate të publikuar nga komanda amerikane, inteligjenca kishte konfirmuar se mjeti lundrues ishte i përfshirë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Autoritetet amerikane i cilësuan pesë personat e vrarë si “narko-terroristë”.
SOUTHCOM publikoi gjithashtu një video që, sipas saj, tregon momentin e sulmit ndaj motoskafit.
Operacioni është pjesë e fushatës së Shteteve të Bashkuara kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në rajonin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor.
Që nga shtatori i vitit 2025, SHBA-të kanë ndërmarrë dhjetëra sulme ndaj mjeteve lundruese që dyshohet se transportojnë lëndë narkotike. Sipas të dhënave të bëra publike, këto operacione kanë shkaktuar më shumë se 230 viktima.
Megjithatë, fushata amerikane ka nxitur kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. Ata kanë ngritur shqetësime për ligjshmërinë e këtyre operacioneve, duke i cilësuar vrasjet si të mundshme jashtëgjyqësore.
Kritikët theksojnë se Uashingtoni nuk ka paraqitur prova publike që të vërtetojnë se të gjitha anijet e goditura ishin të përfshira në aktivitete të paligjshme./ET
