Last Updated on 24/11/2025 by Monika
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, duke forcuar sigurinë e atyre që mbrojnë institucionet e drejtësisë. Së fundmi, tetë anëtarë të Gardës së Republikës, pjesë e strukturave që garanton sigurinë e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe prokurorëve të SPAK, përfunduan me sukses një trajnim taktik të avancuar nga Shërbimi Sekret i SHBA-së.
Trajnimi u zhvillua në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara (ILEA) në Budapest, një nga qendrat më prestigjioze të formimit në fushën e sigurisë. Programi kishte si synim rritjen e kapaciteteve operative dhe aftësive të reagimit në situata të ndërlikuara që lidhen me mbrojtjen fizike të zyrtarëve.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë konfirmoi se, përveç trajnimit, po vijon të ofrojë edhe pajisje taktike moderne për Gardën e Republikës, duke theksuar përkushtimin për të forcuar integritetin dhe sigurinë e sistemit të drejtësisë. Zyrtarët amerikanë u shprehën se janë krenarë për bashkëpunimin e ngushtë dhe trajnimin e vazhdueshëm me personelin që luan rol kyç në mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në hetimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar.
Ky bashkëpunim i vazhdueshëm shihet si një hap i rëndësishëm për garantimin e funksionimit të pavarur dhe të sigurt të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri./mxh
