Plani i ri i presidentit amerikan, Donald Trump për të përfunduar luftën në Ukrainë do të përfshinte dhënien Rusisë të pjesëve të Ukrainës lindore, që aktualisht Kievi nuk i kontrollon, në këmbim të një sigurie të paspecifikuar nga SHBA-ja për Ukrainën dhe Evropën kundër agresionit një agresioni të mundshëm në të ardhshmen nga Moska, tha një zyrtar amerikan me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje, sipas Axios.
Sipas planit, Moska do të merrte kontroll të plotë ”de facto” mbi Luhanskun dhe Donetskun (të njohura së bashku si Donbas).
Edhe pse nën kontroll rus, zonat e Donbasit nga të cilat do të tërhiqej Ukraina do të konsideroheshin si zonë e demilitarizuar, pa mundësi që Rusia të vendoste trupa atje.
Në dy rajone të tjera të shkatërruara nga lufta, Kherson dhe Zaporizhia, vijat aktuale të kontrollit do të mbaheshin kryesisht të ngrira, me Rusinë që do të kthejë disa territore, sipas negociatave.
Sipas planit të paqes të SHBA-së për Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do ta njihnin Krimenë dhe Donbasin si territore legjitime ruse, por Ukraina nuk do të ishte e detyruar ta bënte këtë.
Axios shkruan se një zyrtar ukrainas tha se plani përfshin gjithashtu kufizime në madhësinë e ushtrisë ukrainase dhe armëve të saj me rreze të gjatë veprimi në këmbim të garancive të sigurisë së SHBA-së.
