Shtetet e Bashkuara kanë nisur të zbatojnë sanksione ndaj kompanisë së industrisë serbe të naftës, NIS, për shkak të pronësisë së saj ruse. Kompania u vendos në listën e sanksioneve amerikane me qëllim parandalimin e financimit të luftës së Rusisë në Ukrainë përmes të ardhurave që gjenerojnë kompanitë ruse të energjisë.
Kjo vendimmarrje ka shkaktuar shqetësim në radhët e qytetarëve serbë, pavarësisht garancive nga autoritetet qeveritare se do të ketë sasi të mjaftueshme energjie për ngrohje.
Paralelisht, Moska vendosi që marrëveshja e gazit me Beogradin të zgjatet vetëm deri në fund të vitit. Serbia varet kryesisht nga gazi rus, ndërkohë që shumica e familjeve e përdorin atë për ngrohje.
Kompania ruse Gazpromneft, degë e Gazpromit, zotëron aksionet më të mëdha në NIS, me 44.9%. Një pronar tjetër i rëndësishëm është kompania Intelligence nga Shën Petersburgu, gjithashtu e menaxhuar nga Gazpromi, me 11.3% të aksioneve.
Zyrtarët serbë prisnin një marrëveshje të re trevjeçare me Gazprom për të importuar 2.5 miliardë metra kub gaz në vit. Kontrata e mëparshme dhjetëvjeçare skadoi në maj, por pala ruse vendosi ta zgjaste vetëm deri në fund të këtij viti.
Termocentralet e Beogradit përdorin 98.46% gaz për ngrohje dhe shumë më pak burime të tjera energjie, si qymyri dhe nafta. Sipas Agjencisë Serbe të Energjisë, pjesën më të madhe të gazit e përdor industria (64%), familjet (16%) dhe termocentralet (20%). Gazi dhe mazuti përdoren gjithashtu në një masë më të vogël për prodhimin e energjisë elektrike.
Gjatë vizitës së fundit në Beograd, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, premtoi se do të ndihmojë popullin serb për të siguruar ngrohjen gjatë dimrit që po vjen. Megjithatë, mbetet e paqartë roli që mund të ketë Brukseli në tensionin midis Moskës dhe Uashingtonit, duke lënë presidentin Vucic në dilemë për furnizimin e mjaftueshëm me gaz./ KM
