Forcat amerikane kanë ndaluar dhe sekuestruar një cisternë nafte të sanksionuar pranë brigjeve të Venezuelës, raportoi Bloomberg, një zhvillim që konsiderohet përshkallëzim i rëndësishëm i tensioneve mes Uashingtonit dhe Karakasit.
Sipas raportimit, lëvizja pritet të vështirësojë edhe më tej eksportet e naftës venezueliane, pasi anije të tjera mund të hezitojnë të marrin ngarkesa nga frika e sanksioneve. Shumica e naftës së Venezuelës përfundon në Kinë, përmes ndërmjetësve dhe me çmime të ulëta për shkak të rrezikut të lartë.
Administrata Trump ka shtuar presionin ndaj presidentit Nicolás Maduro, të cilin e akuzon për drejtimin e një rrjeti të madh trafiku droge. Pentagoni ka kryer mbi 20 goditje ndaj mjeteve të dyshuara për trafik narkotikësh në ujërat pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, duke shkaktuar mbi 80 viktima. Trump ka paralajmëruar disa herë se SHBA mund të ndërmarrë edhe goditje tokësore, duke deklaruar se “ditët e Maduros janë të numëruara”.
Qeveria e Maduros i ka cilësuar këto veprime si përpjekje të SHBA-së për të vënë dorë mbi rezervat gjigante të naftës së vendit. Zbulimi i sekuestrimit të cisternës përkon me marrjen e Çmimit Nobel për Paqe nga liderja e opozitës, María Corina Machado, një kundërshtare e ashpër e regjimit.
Në muajt e fundit, Maduro u ka bërë thirrje venezuelianëve të “bashkohen ndaj kërcënimeve amerikane” dhe të rrisin pjesëmarrjen në milicitë popullore, ndërsa ka lëvizur trupa, anije, avionë dhe dronë drejt kufirit me Kolumbinë dhe zonave bregdetare.
Kompania shtetërore PDVSA vazhdon bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë gjigantin amerikan Chevron, që operon në vend përmes një licence të veçantë nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së. Ndërsa kryen shpime të përbashkëta, një pjesë e prodhimit i kalon drejtpërdrejt regjimit venezuelian sipas marrëveshjes ekzistuese. m.p.
