Last Updated on 15/12/2025 by EL
Autoritetet amerikane kanë parandaluar një sulm të dyshuar me bomba në Los Angeles, i cili pritej të kryhej në natën e Vitit të Ri. Sipas Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, komploti u zbulua dhe u neutralizua nga FBI-ja përpara se të ndërtohej ndonjë pajisje shpërthyese funksionale. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi deklaroi se bëhej fjalë për një plan sulmesh të koordinuara në disa objektiva në Kaliforni.
Sipas autoriteteve, sulmi dyshohet se ishte planifikuar nga një organizatë e ekstremit të majtë, pro-palestineze, antiqeveritare dhe antikapitaliste, e quajtur “Fronti për Çlirimin e Ishullit Turtle”. Objektivat e planifikuara përfshinin agjentë dhe automjete të imigracionit në zonat e Los Angeles dhe Orange County, si dhe dy kompani amerikane. Bombat pritej të vendoseshin në pesë lokacione të ndryshme.
Katër persona janë arrestuar dhe akuzuar për komplot dhe posedim të një pajisjeje shkatërruese të paregjistruar. Ata janë identifikuar si Audrey Eileen Carroll, Zachary Aaron Page, Dante Garfield dhe Tina Lai. Sipas dokumenteve gjyqësore, Carroll kishte hartuar një plan të detajuar tetëfaqësh me titull “Operacioni Dielli i Mesnatës”, ku përshkruhej mënyra e realizimit të sulmeve.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit kishin nisur sigurimin e materialeve për prodhimin e bombave dhe planifikonin të udhëtonin në shkretëtirën Mojave për t’i ndërtuar dhe testuar ato. Megjithatë, ndërhyrja e FBI-së ndodhi në kohë, duke parandaluar realizimin e planit dhe duke shmangur një rrezik serioz për sigurinë publike./e.t
