Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm pasi Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite ndërmorën sulme të përbashkëta ajrore kundër milicive të mbështetura nga Irani në Irak, vetëm pak orë pasi Teherani lëshoi raketa ndaj forcave amerikane në rajon.
Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) bëri të ditur se objektivat e sulmeve ishin baza logjistike dhe depo armësh të grupeve të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat, sipas Uashingtonit, kanë organizuar sulme me dronë ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Nga ana tjetër, Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut (PMF), të dominuara nga milicitë shiite të mbështetura nga Irani, njoftuan se të paktën 20 luftëtarë janë vrarë dhe 32 të tjerë janë plagosur nga bombardimet që goditën bazat e tyre në disa provinca të vendit.
Sulmet erdhën pasi Irani deklaroi se kishte goditur një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani, si përgjigje ndaj asaj që e cilësoi agresion amerikan. Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë, duke paralajmëruar se SHBA-të do t’i “godasë fort” forcat e mbështetura nga Teherani.
Arabia Saudite tha se veproi në kuadër të së drejtës për vetëmbrojtje, duke akuzuar milicitë pro-iraniane për sulme me dronë ndaj objekteve të naftës në territorin saudit. Ndërkohë, qeveria irakiane dhe Irani dënuan bombardimet, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit të Irakut dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Përshkallëzimi i ri ka rritur shqetësimet për një konflikt më të gjerë në rajon dhe ka ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 5%, mes frikës për ndërprerje të furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë./mxh
