Sipas faqes së internetit Defense One, administrata Trump ka si qëllim të dobësojë Bashkimin Europian duke përdorur disa vende si “çelësa” për këtë strategji. Kjo del nga një version më i gjatë i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (NSS), i cili nuk është përfshirë në dokumentin zyrtar të publikuar më 5 dhjetor. Sidoqoftë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar ekzistencën e ndonjë dokumenti sekret, duke deklaruar se nuk ka materiale të fshehta.
Sipas Defense One, ndërsa versioni publik i NSS kërkon përfundimin e një “NATO-je në zgjerim të vazhdueshëm”, versioni i plotë shkon më në detaje, duke treguar se si administrata Trump synon të “ribëjë Europën e madhe”, ndërsa inkurajon vendet anëtare të NATO-s të ulen më pak mbi mbështetjen ushtarake amerikane.
Dokumenti supozon se Europa po përballet me “shuarjen e civilizimit të saj” për shkak të politikave të imigracionit dhe “censurës së lirisë së fjalës”. Strategjia sugjeron të përqendrohen marrëdhëniet e SHBA-së me disa vende europiane me administrata dhe lëvizje të ngjashme ideologjikisht, kryesisht të djathta.
Në këtë kontekst, Italia renditet së bashku me një grup të zgjeruar të vendeve të Visegradit: Austria, Hungaria dhe Polonia. Sipas raportit, këto vende janë “ato me të cilat SHBA-të duhet të bashkëpunojnë më shumë me qëllim largimin e tyre nga Bashkimi Europian. Duhet të mbështeten partitë, lëvizjet dhe figurat intelektuale dhe kulturore që synojnë sovranitetin dhe ruajtjen ose rivendosjen e mënyrave tradicionale të jetesës europiane, duke mbetur pro-amerikane.”
Defense One shton se dokumenti i plotë i NSS diskuton “dështimin” e hegemonisë amerikane. “Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elitë e politikës së jashtme të SHBA-së u bindën se dominimi i përhershëm amerikan mbi botën ishte në interesin e vendit tonë. Por çështjet e vendeve të tjera na interesojnë vetëm nëse veprimet e tyre na kërcënojnë direkt.” Administrata duket se përdor këtë logjikë për të tërhequr SHBA-të nga roli i mbrojtjes së Europës dhe për të përqendruar aktivitetin kundër kartelëve të drogës në Venezuelë.
Raporti sugjeron gjithashtu një ndryshim të skemës globale duke zëvendësuar G7 me një “Core 5” (C5), që përfshin SHBA, Kinën, Rusinë, Indinë dhe Japoninë. Ky grup do të mblidhet rregullisht për të diskutuar çështje ndërkombëtare, duke nisur nga Lindja e Mesme dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënëses Anna Kelly, ka mohuar ekzistencën e ndonjë versioni alternativ apo të klasifikuar: Presidenti Trump është transparent dhe ka nënshkruar një NSS që udhëzon qartë qeverinë amerikane të zbatojë dokumentin sipas parimeve dhe prioriteteve të përcaktuara. Çdo version tjetër i pretenduar shpërndahet nga njerëz të largët nga Presidenti, që nuk kanë ide se për çfarë flasin.
Pak ditë më parë, Matt Schlapp, kryetar i Conservative Political Action Conference, lobit më të fuqishëm pro-Trump në SHBA, deklaroi se dëshiron të organizojë një konferencë në Itali për të promovuar agjendën sovraniste. Burime pranë qeverisë sugjeruan mungesë interesi, por ai i tha gazetës Repubblica: “We will get it done” do ta realizojmë./kb
