Shtetet e Bashkuara kanë paguar rreth 160 milionë dollarë nga mbi 4 miliardë që i detyrohen OKB-së. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara të enjten, ndërsa presidenti Donald Trump po zhvillonte takimin e parë të Bordit të Paqes, për të cilin shumë ekspertë thonë se mund të minojë Kombet e Bashkuara.
“Javën e kaluar, morëm rreth 160 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara si një pagesë të pjesshme të detyrimeve të prapambetura për buxhetin e rregullt të OKB-së”, citohet të ketë thënë zëdhënësi nga Reuters.
Gjatë fjalimit të tij në hapjen e takimit të Bordit të Paqes, Trump tha se Uashingtoni do t’i jepte OKB-së para për ta forcuar atë.
SHBA-të janë shteti me kontributin më të madh në buxhetin e OKB-së, por nën administratën Trump kanë refuzuar të bëjë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes, si dhe kanë ulur financimet vullnetare për agjencitë e OKB-së me buxhetet e tyre.
Uashingtoni është tërhequr nga dhjetëra agjenci të OKB-së.
Zyrtarët e OKB-së thonë se SHBA-të i detyrohen 2.19 miliardë dollarë buxhetit të rregullt të OKB-së në fillim të shkurtit, më shumë se 95% e totalit që i detyrohen vendet globalisht. SHBA-të gjithashtu i detyrohen edhe 2.4 miliardë dollarë për misionet aktuale dhe të kaluara të paqeruajtjes dhe 43.6 milionë dollarë për gjykatat e OKB-së.
“Ne do t’i ndihmojmë financiarisht dhe do të sigurohemi që Kombet e Bashkuara të jenë të qëndrueshme,” tha Trump.
“Mendoj se Kombet e Bashkuara kanë potencial të madh, vërtet potencial të madh. Nuk e kanë realizuar ende atë potencial.”
Vendet, përfshirë fuqitë kryesore të Jugut Global dhe aleatët kyç të SHBA-ve në Perëndim, kanë qenë hezituese të bashkohen me “Bordin e Paqes” të Trump, ku vetë ai është kryetar. Shumë ekspertë kanë thënë se një nismë e tillë minon Kombet e Bashkuara.
Trump e nisi bordin muajin e kaluar dhe e propozoi në fund të vitit të kaluar si pjesë të planit të tij për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.
Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e njohu bordin në fund të vitit të kaluar deri në vitin 2027, duke kufizuar fushën e tij vetëm në Gaza, territorin palestinez që ishte menduar të mbikëqyrej pas sulmit shkatërrues mbi dyvjeçar të Izraelit. Sipas planit të Trump-it për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza, bordi ishte menduar të mbikëqyrte qeverisjen e përkohshme të Gazës. Trump më pas tha se bordi do të merret me konfliktet globale dhe do të shikojë përtej Gazës.
Ekspertët e OKB-së thonë se mbikëqyrja e Trump-it mbi një bord që do të administronte punët e një territori të huaj ngjan me një strukturë koloniale dhe e kritikuan bordin për mungesën e përfaqësimit palestinez. Nuk kishte asnjë përfaqësues të OKB-së në takimin e “Bordit të Paqes” të enjten./kb