Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka bërë një përditësim të ri mbi operacionet ushtarake, duke zbuluar shifra të larta të sulmeve ndaj objektivave iraniane që nga nisja e konfliktit.
Sipas njoftimit zyrtar, forcat amerikane kanë goditur mbi 12,300 objektiva iraniane, mes të cilave përfshihen qendra të komandës dhe kontrollit, pozicione të raketave balistike si dhe bunkerë të magazinimit të armëve. Këto operacione synojnë dobësimin e kapaciteteve ushtarake dhe logjistike të Iranit.
Në të njëjtin përditësim, Centcom bën të ditur se më shumë se 155 anije iraniane janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë ndërhyrjeve, duke goditur ndjeshëm prezencën detare të Teheranit.
Ndërkohë, raporti përfshin edhe aktivitetin ajror të forcave amerikane, ku theksohet se janë kryer mbi 13,000 fluturime luftarake.
Në këto misione janë angazhuar disa nga avionët më të avancuar të ushtrisë amerikane, përfshirë avionët luftarakë F-22 dhe F-35, si dhe bombarduesit strategjikë B-1, B-2 dhe B-52./Mxh
