Shefi i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se është “i tmerruar” nga dhuna në rritje e forcave iraniane të sigurisë ndaj protestuesve paqësorë. Deklarata u bë të martën, më 13 janar, dhe u lexua nga zëdhënësi i tij.
Autoritetet fetare të Republikës Islamike po përballen me protestat më të mëdha që nga viti 2022. Sipas një organizate për të drejtat e njeriut, trazirat kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 500 personave, ndërsa një zyrtar iranian deklaroi të martën se numri i viktimave mund të arrijë rreth 2 mijë.
“Ky cikël dhune të tmerrshme nuk mund të vazhdojë. Populli iranian dhe kërkesat e tij për drejtësi, barazi dhe ndershmëri duhet të dëgjohen,” thuhet në deklaratën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, e lexuar nga zëdhënësi i zyrës së OKB-së, Jeremy Laurence.
I pyetur për shifrën e viktimave, Laurence tha se sipas burimeve të Kombeve të Bashkuara në Iran, numri i të vrarëve është në qindra. Ai shtoi se raportet tregojnë se shërbimet telefonike janë rikthyer pjesërisht, por me kufizime, ndërsa qasja në internet mbetet e ndërprerë.
Komisioneri i OKB-së shprehu gjithashtu shqetësim serioz se autoritetet iraniane mund të përdorin dënimin me vdekje ndaj mijëra protestuesve të arrestuar gjatë valës së fundit të demonstratave./mxh
