Palestinezë në Gazën Qendrore u mblodhën të hënën, më 5 janar, në vendin ku një ndërtesë e dëmtuar nga lufta u shemb, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Sipas Karam al-Shannas, i afërm i viktimave, ndërtesa kishte pësuar dëmtime serioze gjatë luftës. Ai tha se banorët ishin kthyer për të jetuar aty, pasi nuk kishin asnjë alternativë tjetër strehimi.
“Nuk ka asnjë shtëpi të qëndrueshme në Rripin e Gazës. Çdo ndërtesë është tronditur dhunshëm gjatë luftës. Nga pikëpamja inxhinierike, Gaza nuk është më një vend i banueshëm.”
Sipas Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara, rreth 81 për qind e ndërtesave në Gaza kanë pësuar dëmtime ose janë shkatërruar plotësisht gjatë konfliktit.
Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi në muajin tetor, pas dy vitesh bombardimesh intensive dhe operacionesh ushtarake izraelite në Gaza, të nisura pas sulmit të përgjakshëm të kryer nga luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi ndaj komuniteteve izraelite në tetor të vitit 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 71 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e ofensivës izraelite. Ndërkohë, autoritetet izraelite raportojnë se rreth 1,200 persona u vranë gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor./mxh
